Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në zonën e Laknasit, pranë Kamzës, pasi një i moshuar ka hapur zjarr ndaj dy fqinjëve të tij, duke vrarë njërin dhe duke plagosur tjetrin.
Gazetari Igli Çelmeta ka raportuar lidhur me ngjarjen se 70-vjeçari Maliq Marku është konfliktuar fillimisht me dy fqinjët e tij verbalisht dhe më pas ka shkuar në banesë ku ka marrë armën tip kallashnikov.
Sakaq, shefi i Komisariatit të Policisë në Kamëz është shprehur për mediat se Marku u arrestua në banesën e tij dhe arma e krimit mbahej nga ai pa leje.
Shkak për konfliktin u raportua se ka qenë një kanal i ujërave të zeza që kalonte pranë banesave të tre personave të përfshirë në rast.
Po ashtu mësohet se konflikti mes tyre daton rreth 3 vite më parë dhe se policia ka pasur dijeni për zënkat e mëparshme mes fqinjve.
“Kemi marrë njoftimin për ngjarjen kriminale dhe menjëherë kemi arrestuar autorin e ngjarjes, Maliq Marku, 70-vjeç. Autori i vrasjes u arrestua në banesën e tij. Rezulton se një person është vrarë dhe tjetri ndodhet në spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Konflikti raportohet se ka qenë për motive të dobëta.
Arma tip kallashnikov ishte pa leje dhe u kap në banesë. Bëhet fjalë për një kanalizim të ujërave të zeza që ndodhet pranë banesave të personave të përfshirë në konflikt”, u shpreh shefi i Komisariatit të Kamzës.