Në futboll duhet edhe pak fat, shumë në rastin e Shqipërisë, pasi në “Euro2024”, përtej formës fantastike që kuqezinjtë shfaqën në fushatën kualifikuese, nuk shkojmë si favoritë. Në Gjermani luhet një tjetër muzikë, rivalët janë ekipe me traditë, ekipe me një nivel të lartë, kjo është e qartë nëse i referohemi vlerës së ekipeve pjesëmarrëse, lojtarëve që kanë në dispozicion e shumë detajeve të tjera, por futbolli është sporti më i bukur në botë pasi është edhe i paparashikueshëm, futbolli njeh shumë histori “hirushesh”.
Sot, në orën 18:00, sytë dhe zemrat e miliona tifozëve kuqezi janë kthyer nga Hamburgu, aty ku do të hidhet shorti për fazën e grupeve në Evropian, ky është pikërisht rasti ku të gjithë “kryqëzojnë gishtat” me shpresën që të kemi një short jo shumë të fortë. Shqipëria bën pjesë në vazon e dytë, së bashku me përfaqësuese si Hungari, Turqi, Rumani, Danimarkë dhe Austri.
Me asnjë nga këto ekipe nuk mund të përballemi. Në vazon e parë, janë ekipe “big” si Gjermania, Portugalia, Franca, Spanja, Belgjika dhe Anglia. Në këtë vazo është shumë e vështirë të shprehësh dëshira.
Nuk jemi shumë komod edhe nëse shohim vazon e tretë, ku gjejmë ekipe emblemë si Holanda apo Kroacia, me pjesën tjetër, Skocinë, Slloveninë, Sllovakinë dhe Çekinë mund të përballemi lehtësisht. Situata bëhet pak më e vështirë kur shohim vazon e tretë, ku janë përfaqësuese si Italia, Serbia dhe Zvicra.
()