Anketimi/ 52% e qytetarëve thonë se kanë pasur trysni nga zyrtarët publikë për të dhënë ryshfet, por rritet besimi tek drejtësia

Raporti më i fundit vjetor mbi monitorimin e korrupsionit në Shqipëri vëren një ulje me 5 për qind të trysnisë nga zyrtarët tek qytetarët për marrje rryshfeti. Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të anketuar nga Qendra për Kërkime Ekonomike, rreth 52 për qind e tyre, pohojnë që, kanë patur trysni nga zyrtarët publikë për të dhënë rryshfet në këmbim të zgjidhjes së një problemi dhe për marrjen e shërbimeve publike.

Autorët e raportit dhe ekspertë të tjerë të pavarur, pohojnë se shkaqet e rënies së trysnisë për rryshfet janë shtimi i denoncimeve dhe i besimit tek organet e drejtësisë nga njëra anë, si dhe përsosja e metodave të korrupsionit nga ana tjetër.

Trysnia e drejtpërdrejtë i nëpunësve ndaj qytetarëve për të marrë rryshfet në këmbim të shërbimeve publike ka rënë nga 57 (viti 2021) për 52 për qind sivjet.

Kjo është gjetja kryesore e raportit vjetor mbi rezultatet e sistemit të monitorimit të korrupsionit në Shqipëri, publikuar sot Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike dhe SELDI, një koalicion i 40 organizatave Lidershipi i Europës Juglindore për Zhvillim dhe Integritet.

Në studim thuhet se edhe dhënia e rryshfetit, ose përfshirja e qytetarëve në korrupsion ka rënë sivjet me afro 7 për qind, duke ndjekur rënien e trysnisë për rryshfet, siç pohojnë të anketuarit. Autorët e studimit pohuan se reforma në drejtësi, hapja e negociatave me BE-në, rritja e numrit të denoncimeve në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po sjellin ndikimin e tyre mbi perceptimin publik të korrupsionit.

Drejtuesi i Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, një nga autorët e studimit, thotë se rezistenca e qytetarëve ndaj korrupsionit është ende e dobët, derisa pjesa dërrmuese e tyre japin rryshfet nën trysninë e nëpunësve, por ata i mbajnë shpresat tek organet e reja të drejtësisë, të cilat kanë rritur besimin e përgjithshëm dhe kanë sjellë një klimë të re si në stepjen e administratës për të mos shkelur ligjet ashtu edhe në kurajimin e denoncimeve të shtuara mbi aktet korruptive.

“Për herë të parë zvogëlohet trysnia korruptive e administratës publike, si dhe përmirësohet besimi i qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë, që luftojnë këtë dukuri. Këto janë frytet e para të reformës në drejtësi, e cila po ndikon edhe në perceptimin e publikut”, tha zoti Preçi. Në studimin e sivjetëm thuhet po ashtu se është rritur me 5 për qind (nga 60% në vititn 2021 në 65% sot) edhe numri i qytetarëve që nuk e pranojnë korrupsionin si dukuri, megjithatë më shumë se gjysma e të anketuarve pohojnë se do të merrnin rryshfetin, nëse do të ishin nëpunës publikë.

Afro 3/4 e të anketuarve mendojnë se korrupsioni nuk mund të reduktohet ndjeshëm apo të çrrënjoset. Pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë vazhdojnë të shfaqin një mosbesim të theksuar të ndaj politikave dhe strategjive anti-korrupsion të ndërmarra nga qeveria, theksohet në studim.

Gazetarja investigative, Ola Xama, mendon se Shqipëria e ka lënë pas rryshfetin në shifra të vogla midis qytetarit dhe nëpunësit, ngaqë kontaket mes tyre janë minimizuar prej sistemeve elektronike, por kjo nuk e ka pakësuar korrupsionin, përkundrazi, tani janë përsosur në nivele të larta metodat e korrupsionit mes qeveritarëve dhe bizneseve kliente të qeverisë.

“Rënia e perceptimit mbi përvojat e korrupsionit lidhet edhe me prekjen e disa aspekteve nga sistemi i drejtësisë së re, që nuk janë prekur më parë dhe me perceptimin që ka krijuar publiku, që disa njerëz shkojnë e japin llogari përpara autoriteteve, që më parë nuk ka qenë. E mirë apo jo, përzgjedhëse apo jo, ka shumë diskutime mbi këto, por njerëzit sot mendojnë se paska një kërkesë llogarie”, thotë gazetarja Xama.

Autorët theksojnë në studimin vjetor se “reforma në drejtësi i ka “trembur” paksa zyrtarët, po ashtu edhe shtimi i denoncimeve nga mediat investigative si edhe hetimet e SPAK kanë ndikuar në këtë stepje të tyre për të kërkuar rryshfet”. Grupet e perceptuara nga publiku si më të korruptuarat janë partitë politike, doganierët, gjyqtarët, prokurorët si dhe zyrtarët e administratës së drejtësisë, ndërsa grupet më pak të korruptuar perceptohen mësuesit, gazetarët, pedagogët e universiteteve dhe këshilltarët bashkiake.

Studiuesi Gjergj Buxhuku, i cili përfaqëson organizatën AlbKonfindustria, tha në tryezë se ende është skeptik për rezultatet e deritanishme të luftës ndaj korrupsionit dhe se pritshmëritë e qytetarëve dhe bizneseve janë shumë më të larta. “Në Shqipëri ka korrupsion të thjeshtë, hibrid dhe korrupsion të tipit të kapjes së shtetit, i cili po bëhet masiv dhe haptas. Jemi në gjendje tepër të rëndë dhe me pasoja tepër të rënda, që ndihen edhe në ekonomi, edhe në demokraci”, thotë zoti Buxhuku.

Korrupsioni vazhdon të mbetet një dukuri dhe shqetësim kryesor në jetën e Shqipërisë. Në raportin e Komisionit Europian për vitin 2023 thuhet se “Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje në luftën kundër korrupsionit. Pavarësisht njëfarë përparimi dhe përpjekjeve të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, ai mbetet një fushë shqetësimi serioz”. Komisioni Europian vlerëson se korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit dhe se masat parandaluese vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar. /VOA/

Arena e Lajmit

Anketimi/ 52% e qytetarëve thonë se kanë pasur trysni nga zyrtarët publikë për të dhënë ryshfet, por rritet besimi tek drejtësia

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook