Pas 15 urdhërarresteve të lëshuara nga SPAK një ditë më parë lidhur me aferën e inceneratorit të Tiranës, janë arrestuar Taulant Tushe, Namik Simixhiu, Bledar Karoli, Jetmir Llapaj.
Ndërkohë është shpallur në kërkim Erjon Murataj, i cili mësohet se ndodhet jashtë vendit.
Ndërkohë sërish rëndojnë akuzat ndaj ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako, të dënuar për korrupsionin në inceneratorin e Fierit.
GJKKO ka dhënë dje masat e arrestit në burg për Lefter Kokën, Alqi Bllakon, Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, Erjon Muratajn, Bledar Karolin, Namik Simixhiu, Jetmir Llapaj.
Ndërsa është vendosur masa e “Arrestit në shtëpi” për Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Sidita Tola.
Kujtojmë së më 1 gusht, Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK firmosi vendosjen e sekuestros ndaj inceneratorit të Tiranës. Hetimet kanë nisur në kuadër të procedimit penal për veprat penale të “Mashtrim me pasoja të rënda” në bashkëpunim, “Shpërdorim i detyrës”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.