Tirana ndalet përsëri, edhe kur është në avantazh të dy golave, kësaj here në një transfertë të vështirë, siç është fusha e Laçit. Bardheblutë barazuan 2-2 ndaj kurbinasve dhe mbeten në vendin e tretë, pa arritur t’u afrohen dy skuadra kryesuese.
Vetëm një pikë e marrë në limite për të besuarit e Mirel Josës, të cilët nuk fitojnë prej 8 ndeshjesh dhe qëndrojnë në vend të parafundit, duke rrezikuar rënien nga Superliga. Sa i takon sfidës, Tirana dha shenja që në fillim, teksa shënoi me Latifin, por goli u anulua për jashtë loje.
Megjithatë, avantazhi do të vinte në minutën e 18-të, kur Florent Hasani shfaqet para portierit kundërshtar dhe e kalon topin mbi të. Miqtë nga Tirana nuk do të ndaleshin këtu, pasi në limitet e pjesës së parë dyfishon me Abazajn, i cili gjeti me saktësi cepin e portës kurbinasve.
E dyta ka një tablo tjetër, vendasit ngulmojnë shumë dhe në të 59-ën ngushtojnë diferencat me një autogol të Najdovskit. Tirana nuk arrin ta vrasë ndeshjen me një kundërsulm dhe kur u mendua se sfida u mbyll me fitoren e miqve, është Laçi që barazon në minutën e 92-të me anë të Kordeiros.
Nuk ka më kohë dhe të dyja skuadrat ndajnë nga një pikë, që vlen më shumë për kurbinasit për nga mënyra se si shkoi sfida. Ndërsa ndeshja tjetër Erzeni-Kukësi përfundoi 0-0.
()