Dy të rinj kanë grabitur xhiron ditore në një karburant në Selitë, pasi dhunuan punonjësin rreth orës 01:40 më 9 dhjetor.
Mësohet se 22-vjeçari me iniciale A. L., dhe 21 vjeçari me iniciale K. L., të dy banues në Tiranë, janë afruar në karburant për të furnizuar makinën.
Më pas 21-vjeçari, pasagjer në automjet, ka zbritur nga makina dhe ka dhunuar punonjësin e karburantit, duke i marrë xhiron ditore.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një mjet prerës thikë, një përforcues grushti, veshjet dhe automjeti që autorët e dyshuar kanë përdorur për të kryer krimin.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, pas njoftimit të marrë se dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin vjedhur me dhunë, një shumë parash, në një karburant, në Selitë, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Në këtë kuadër është finalizuar operacioni policor i koduar “Selita”, si rezultat i të cilit u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i dy autorëve të dyshuar, shtetasve: A. L., 22 vjeç dhe K. L., 21 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 09.12.2023, rreth orës 01:40, janë afruar në një karburant në Selitë, dhe shtetasi A. L., ka zbritur nga automjeti.
Shtetasi K. L. është afruar për të furnizuar automjetin me karburant, ndërsa shtetasi A. L. i ka vjedhur me dhunë punonjësit të karburantit, xhiron ditore.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një mjet prerës thikë, një përforcues grushti, veshjet dhe automjeti që autorët e dyshuar kanë përdorur për të kryer krimin. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.