33 vite nga themelimi i PD, Besnik Mustafaj: Nuk ka qarkullim elitash. Afrim Krasniqi: “Non grata” dhe drejtimi part-time i opozitës jo alternativë

Ne 11 dhjetor te vitit 1990 u krijua e para parti demokratike në Shqipëri, pas 45 vitesh të qeverisjes komuniste të diktatorit Enver Hoxha. Partia Demokratike do të lindte si nevojë e shqiptarëve për t’u ngjallur atyre shpresën për një jetë ndryshe, me liri dhe mundësi të reja. Lindi si nevojë për të sjellë ndryshimin dhe me një ëndërr të madhe, për të futur Shqipërinë në gjirin e vendeve evropiane. Besnik Mustafaj bën bilancin e Partisë Demokratike në këto 33 vite.

Por sot, pas 33 vitesh Partia Demokratike është më e përçarë se asnjëherë më parë. Tre grupime deputetësh që mbështesin Sali Berishën, Gazment Bardhin dhe Lulzim Bashën nuk po arrijnë dot të ndërtojnë urat për të qenë bashkë e për të bërë forcën që mund të rivalizojë Edi Ramën që vijon prej dhejtë vitesh në pushtet.

Pakënaqësitë dhe përçarjet në PD nisën që pas zgjedhjeve të humbura të prillit 2021, ku Lulzim Basha, edhe pse mori disfatën e dytë në zgjedhje të përgjithshme, nuk dha dorëheqjen, por deklaroi se do të kandidonte përsëri për kreun e PD-së. Në këtë moment, përveç pak zërave  që u shprehën kundër, drejtues të tjerë, deputetë të vjetër apo të rinj, nuk reaguan apo ta kundërshtonin këtë vendim të tij. As Sali Berisha nuk kundërshtoi. Madje ai njësoj si Basha, i cilësoi të vjedhura zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Trazimi në kampin blu do të vinte pak javë pas humbjes së zgjedhjeve, kur Sali Berisha u shpall non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Basha ndërkohë kishte organizuar zgjedhjet ku morën pjesë të gjithë, përfshirë edhe Sali Berishën.

Por trazimi real u ndez kur vetëm një ditë përpara nisjes së legjislaturës së re parlamentare, me 9 Shtator 2021, Basha deklaroi se kishte vendosur të pezullonte nga grupi parlamentar Sali Berishën, pas presionit të fortë të ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.

Pas këtij momenti Sali Berisha nisi rrugëtimin e tij të foltores, i cili mblodhi qindra mijëra demokratë të pakënqaur nga Basha dhe mbështetës të përhershëm të Berishës. Në momentin e parë Berisha kishte me vete vetëm tre deputetë. Por sulmi i ish-kryeministrit Berisha ishte aq I fortë, sa erozioni i tij politik prishi muret e deriatëhershme rreth Bashës, të cilin ai vetë e kish mbrojtur nga kushdo që e kishte sulmuar. Kulmi i përplasjes mes Bashës e Berishës ishte 8 janari i 2022, ku oborri i selisë blu u kthye në një fushëbetejë. Sakaq numri i deputetëve mbështetës ndaj Berishës erdhi në rritje, derisa arriti t’i largojë Bashës një numër të madh deputetësh. Ndërsa një tjetër grupim deputetësh u krijua. Ai rreth Gazment Bardhit, te cilët nuk njohin Berishën si kryetar, por as nuk përkrahën Lulzim Bashën në rikthimin e tij.

Por si i shikojnë këto zhvillime të ndodhura Afrim Krasniqi dhe Besnik Mustafaj?

Mustafaj njeh përgjegjës për krizën Lulzim Bashën që sipas tij nuk njihte verdiktin e votuesve dhe të tërhiqej. Ndërsa Krasniqi, e sheh problemin tek të gjithë drejtuesit e opozitës pasi sipas tij, tashmë nuk mbizotërojnë idetë dhe parimet sesi mund të bëhet Shqipëria një vend më i mirë për t’u jetuar, por mbizotërojnë vetëm interesa dhe axhenda personale të individëve, që s’kanë lidhje me qëllimin dhe misionin e Partisë Demokratike.  Por si e shohin Krasniqi dhe Mustafaj rolin e grupit te deputeteve mbështetës të Gazment Bardhit? Ish-ministri Mustafaj dhe drejtori i Institutit te Studimeve Politike, Krasniqi ndahen edhe sa i përket pyetjes, sesi mund të zgjidhjet ky ngërç politik i krijuar në PD.

Propozimi I Fatmir Mediut për të krijuar një konfederatë ku të marrin pjesë të gjitha partitë opozitare dhe të kandidojë të bashkuar në zgjedhjet e 2025, mbështetet nga Besnik Mustafaj, por jo nga Afrim Krasniqi.

Partia Demokratike, partia më e madhe opozitare, që lindi si partia që rrëzoi systemin dictatorial, ndodhet sot në ditën e saj më të keqe. Partia e cila lindi si nevojë e ndryshimit, idealit, e shpresës për shqiptarët ndodhet sot vetë e pashpresë. Konflikti dhe ndarja në tri palë ka ndërtuar një udhëkryq me shumë pikëpyetje, dhe, padyshim, pikëpyetja e parë për të gjithë është- cili do tërhiqet i pari nga egoja e tij dhe do të lëshojë pushtetin, që të bashkohen demokratët e të kthehen në alternativë përballë socialistëve që vijojnë të fitojnë pa rivalë?

Arena e Lajmit

33 vite nga themelimi i PD, Besnik Mustafaj: Nuk ka qarkullim elitash. Afrim Krasniqi: “Non grata” dhe drejtimi part-time i opozitës jo alternativë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook