Në darkën e krishtlindjeve të mbajtur në Milano, trajneri i Juventusit, Max Allegri “rrëmbeu” mikrofonin. Allegri u shpreh se skuadra ka kaluar një periudhë të vështirë në vitin e kaluar, ndërsa synimi për të ardhmen mbetet rikthimi mes skuadrave më të mira të globit.
“Në vitin e kaluar filluam me këtë grup, për të cilin unë dhe të gjithë ne jemi shumë krenarë, një rrugëtim me rritje që ka për qëllim rikthimin e Juventus-it në krye. Së pari, siç e kam thënë tashmë shumë herë, fokusi ynë do të jetë kualifikimi në edicionin e ardhshëm të Champions League, kompeticion që i përshtatet më së miri një klubi si Juventusi. Viti i kaluar ishte një vit i komplikuar, por ne punuam për të gjetur një ngritje pozitive dhe më duhet të falënderoj të gjithë ata që punojnë në ‘Continassa, nga i pari te fundit sepse çdo ditë ofrojnë kushtet më të mira për të punuar.
Unë jam pjesë e këtij klubi për dhjetë vjet dhe jam krenar për këtë gjë. Juventusi është unik, është unik në ADN-në e tij, në historinë e tij, në vlerat e tij dhe në lidhjen me vlerat që duhet të kenë ata që punojnë këtu. Vlerat që përmes punës dhe sakrificës na kanë lejuar të kapërcejmë vështirësitë dhe të arrijmë qëllime vërtet të rëndësishme. Forca Juventus”- tha Allegri.
(J.S/)