“Gjatë vitit 2023 janë asgjësuar rreth 293 mijë bimë narkotike kanabis”, Balla në takimin e policive shqiptaro-italiane: Lufta kundër drogës mbetet prioritet

Ministri i Brendshëm Taulant Balla përshëndeti dhe falënderoi strukturat e përfshira në fushatën antikanabis për vitin 2023, gjatë një veprimtarie ku u bënë publike të dhënat zyrtare dhe arritjet konkrete.

Në 2023 janë asgjësuar rreth 300 mijë bimë narkotike, një pjesë e tyre në fazën e mbjelljes në kubikë. Policia ka kryer 184 mijë kontrolle, me mbi 346 mijë orë shërbimi të strukturave të saj.

“Puna për ta mbajtur Shqipërinë të pastër nga kanabisi, nuk duhet të përmbyllet këtu, ajo duhet të vazhdojë në mënyrë sistematike, intensive, me një bashkëpunim të të gjitha institucioneve ku duhen përfshirë më së miri edhe institucionet e pushtetit vendor, agjencitë e mjedisit, të pyjeve, edhe bizneset private, shërbimet zjarrfikëse, policitë bashkiake, pse jo, edhe Shërbimet Private të Sigurisë”, apeloi ministri.

Në takimin e përbashkët mes Policisë së Shteti dhe Policisë italiane, ku mori pjesë Ambasadori italian Bucci, drejtues të misionit të Guardia di Finanza-s, zyrtarët më të lartë të Policisë së Shtetit, ministri Balla tha se lufta kundër drogës mbetet prioritet dhe angazhim kryesor i strukturave të rendit. Ajo po jep rezultate, falë operacioneve kombëtare “Tempulli” dhe “Sundimi i Ligjit”, si dhe Paketës së Sigurisë në Shkolla.

“Që nga dita ime e parë në këtë detyrë, kam ngritur shqetësimin se kultivimi i kanabisit është lidhur ndër vite, edhe me përfshirjen e ndonjë punonjësi të Policisë së Shtetit, ndoshta qoftë edhe me një mbyllje sysh, apo me një mosreagim. Koha dhe rezultatet më kanë dhënë të drejtë”, nënvizoi Balla, duke vënë theksin tek vetëpastrimi i Policisë si proces që rrit besimin e qytetarëve.

Më tej, ai u shpreh se ka një rritje të nivelit të besueshmërisë dhe të bashkëpunimit mes policisë italiane dhe policisë shqiptare, duke nënvizuar se “Italia, mbetet partneri ynë strategjik, me të cilin kemi një histori të konsoliduar bashkëpunimi”.

“Nuk është e rastësishme – theksoi Balla – që ndër 16 operacione ndërkombëtare që zhvillon aktualisht policia italiane, jashtë Italisë, 14 prej tyre janë me Policinë Shqiptare”.

Më poshtë, fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm:

I nderuar z. Ambasador,
Të nderuar drejtues të Guardia di Finanza-s dhe të Policisë së Shtetit,
Dalja e Shqipërisë nga harta e kultivimit të kanabisit është një sfidë dhe tashmë një realitet i dukshëm, me rezultate të mirëpritura jo vetëm nga ju, por dhe nga të gjithë qytetarët shqiptarë.

Gjej rastin t’i falënderoj të gjitha agjencitë ligjzbatuese të përfshira në këtë bashkëpunim të shkëlqyer, duke nënvizuar pa asnjë subjektivitet, rolin e pa zëvendësueshëm të Guardia di Finanzas në këtë arritje të rëndësishme.

Që nga dita ime e parë në këtë detyrë, kam ngritur shqetësimin se kultivimi i kanabisit është lidhur ndër vite, edhe me përfshirjen e ndonjë punonjësi të Policisë së Shtetit, ndoshta qoftë edhe me një mbyllje sysh, apo me një mosreagim. Koha dhe rezultatet më kanë dhënë të drejtë.

Por e vërteta është që pjesa më e madhe e strukturës së Policisë së Shtetit, ka bërë një detyrë shembullore, që meriton gjithë vlerësimin tim dhe të qeverisë së Kryeministrit Rama.

Orientimi i luftës tonë jo vetëm kundër bimëve të mbjella, por kundër grupeve kriminale, që qëndrojnë pas tyre, dhe pastaj nxjerrja e përgjegjësive konkrete ndaj zyrtarëve lokalë apo të Policisë së Shtetit, dhe pastaj monitorimi i rreptë i mjediseve të identifikuara me njollë monitorimi nga ajri, janë elementë kryesorë të rezultateve në këtë luftë për të ardhmen e Shqipërisë.

Dua t’iu garantoj këtu dhe për një element thelbësor, këto fakte janë të gjitha reale dhe të verifikuara.

Janë 662 vepra penale për kultivim të bimëve narkotike, nga të cilat 549 janë raste kultivimi e 113 procedime proaktive, duka asgjësuar pothuajse 300 mijë bimë narkotike në zonat më problematike të vendit.

Por puna për ta mbajtur Shqipërinë të pastër nga kanabisi, nuk duhet të përmbyllet këtu, ajo duhet të vazhdojë në mënyrë sistematike, intensive, me një bashkëpunim të të gjitha institucioneve ku duhen përfshirë më së miri edhe institucionet e pushtetit vendor, agjencitë e mjedisit, të pyjeve, edhe bizneset private, shërbimet zjarrfikëse, policitë bashkiake, pse jo, edhe Shërbimet Private të Sigurisë.

Policia e Shtetit ka siguruar rreth 5900 informacione për mbjelljen e fidanëve dhe kultivimin e kanabisit në sera diellore, apo magazina, etj.

Janë kryer 184 mijë kontrolle dhe janë mbi 346 mijë orë shërbimi të strukturave të Policisë së Shtetit.

Pa dyshim, teknologjia, është ajo që ka shërbyer më së miri, jo vetëm pjesa që lidhet me kontrollin ajror nga Guardia di Finanza, e cila qëndron në thelbin e suksesit, por edhe përdorimi i dronëve. Vitin e ardhshëm ne do të kemi mundësi të bëjmë edhe fotografimet, qoftë me satelit, por qoftë edhe me dronët “Bayraktar”, në mënyrë që të gjitha këto të rrisim sa më shumë kontrollin e të gjithë territorit.

Guardia di Finanza, me flotën e saj ajrore por edhe me sistemet dhe teknologjinë e fundit ka qenë prezentë, dhe janë plotë 185 orë fluturimi deri më tani, të cilat na kanë dërguar 78 raporte monitorimi Policisë së Shtetit, dhe identifikuar e asgjësuar, përmes kësaj pune të shkëlqyer, plot 107.462 bimë narkotike.

Prandaj unë e vlerësoj shumë bashkëpunimin me Policinë Italiane, në të gjitha komunikimet, takimet që kam pasur me kolegun Piantedosi. E vlerësojmë shumë që ka një rritje të nivelit të besueshmërisë dhe të bashkëpunimit mes policisë italiane dhe policisë shqiptare. Besoj që në fillim të vitit të ardhshëm do të kemi mundësi të ritakohemi në Romë me Ministrin Piantedosi, pikërisht për ta zgjeruar këtë bashkëpunim.

Bashkëpunimi mes dy policive është një shembull i mirë për institucionet dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe jo vetëm, në Shqipëri. Duke mos harruar asnjëherë se Italia, për ne, mbetet partneri ynë strategjik, me të cilin kemi një histori tashmë të konsoliduar bashkëpunimi.

Këtu gjej rastin të them që edhe marrëveshja dhe protokolli i bashkëpunimit në fushën e emigracionit, është një shprehje kuptimplotë e këtij bashkëpunimi të veçantë. Ne nuk mund të nënshkruajmë apo të kemi një marrëveshje të tillë me asnjë vend tjetër, përveçse me Italinë. Kjo, për arsyet e këtij raporti të veçantë, jo mes qeverive, por mes popujve tanë.

Kështu që në këtë këndvështrim unë dua që ta mbështes këtë të veçantë. Ia kam thënë kolegut Piantedosi, ia them shpeshherë Amabasadorit Bucci dhe gjithë drejtuesve të policisë italiane që kam pasur mundësinë të takoj dhe drejtuesit e Guardia di Finanza-s që ju jeni një partner shumë i rëndësishëm për ne. Nuk është e rastësishme që ndër 16 operacione ndërkombëtare që zhvillon aktualisht policia italiane, jashtë Italisë, 14 prej tyre janë me policinë shqiptare. Dhe kjo është diçka që na bën edhe ne krenarë dhe kjo dyshe mes policisë shqiptare dhe policisë italiane ndoshta ka pak xhelozi nga të tjerët dhe prandaj të tjerët duan të hyjnë e të bëhen pjesë e këtij bashkëpunimi, dhe janë të mirëpritur, sepse në fund të fundit, lufta kundër krimit të organizuar dhe gjithë aktivitetet e tjera kriminale, është sot për Shqipërinë, detyra më e rëndësishme e shtëpisë që ne kemi në rrugën tonë të anëtarësimit në BE.

Ne do ta vazhdojmë luftën kundër narkotikëve, jo vetëm në kultivim por edhe në shpërndarje.

Besoj jeni në dijeni që ne kemi rezultate shumë të prekshme në luftën kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike. Operacioni “Tempulli” po jep rezultate të shkëlqyera. Janë mbi 500 persona të arrestuar deri më tani.

Gjej rastin të përshëndes dhe falënderoj Policinë e Shtetit, DVP Vlorë për aksionin më të fundit ku u godit një grup kriminal që kishte ngritur një bazë për të transferuar jashtë Shqipërisë një sasi të konsiderueshme lëndë narkotike kanabis sativa.

Besoj jemi në rrugën e duhur për t’i konsoliduar këto rezultate. Dhe dua t’ju garantoj që edhe procesi tjetër, ai i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit, si një dimension tepër i rëndësishëm në rritjen e besueshmërisë së policisë te qytetarët, do të vazhdojë. Qytetarët janë arsyeja pse ekziston policia, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali e kudo tjetër. Besimi i qytetarëve të policia është arsyeja pse duhet policia të punojë dhe të përmirësojë punën e vet. Jam shumë i sigurt që gjithçka që do të dalë nga raporti i këtij takimi, është një mundësi e mirë për të shkruar edhe axhendën tonë të punës për vitin e ardhshëm. Faleminderit.

Arena e Lajmit

“Gjatë vitit 2023 janë asgjësuar rreth 293 mijë bimë narkotike kanabis”, Balla në takimin e policive shqiptaro-italiane: Lufta kundër drogës mbetet prioritet

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook