“Nuk jam llogaritar”, BIRN: Rama shmang përgjegjësinë për milionat e zhdukura në Sharrë

Kryeministri Edi Rama shmangu përgjegjësinë gjatë një konference për shtyp të enjten mbi gjetjet e SPAK se miliona euro para publike ishin tjetërsuar pa kryer asnjë punë në koncesionin e inceneratorit të Tiranës, duke kaluar në duart e dy biznesmenëve në arrati, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

“E para e punës njëherë, unë nuk jam llogaritar këtu. Jam kryeministër i Shqipërisë,” tha Rama, duke shprehur skepticizëm për shifrat, por duke e cilësuar këtë një çështje të drejtësisë.

Në përgjigje të pyetjes së BIRN, kryeministri këmbënguli se nuk donte të përfshihej në procesin penal të nisur.

“Ndërkohë që në këtë rast, s’është fare kjo pyetje për mua. Kjo është një çështje e një procesi që duhet të bëjë rrugën e vet dhe në fund ka një gjykatë që vendos. Në të treja shkallët e saj dhe vetëm në fund, atëherë ne mund të bëjmë diskutime të natyrës teorike se si ndodhi, çfarë ndodhi në aspektin e shifrave. Nuk dua të bëj asnjë koment lidhur me këtë se kam parë çudira që janë për të qeshur dhe për të qarë me këto kalkolatriçet folklorike,” tha ai.

Nga të dhënat të përfshira në vendimin e Gjykatës së Posaçme për masat e sigurisë për të ashtuquajturin incenerator i Tiranës, dy biznesmenët Mërtiri dhe Zoto janë në qendër të një skeme mashtrimi financiar, e realizuar në bashkëpunim me zyrtarë të lartë publikë nga Ministria e Mjedisit dhe Bashkia e Tiranës dhe Agjencia për Trajtimit të Koncesioneve, e cila i ka kushtuar taksapaguesve dhjetëra miliona euro – të paguara në formën e tarifës së depozitimit të mbetjeve nga bashkitë e qarkut Tiranë në Sharrë.

Prokuroria akuzon se nga shuma prej 6 miliardë lekësh [60 milionë euro] të paguara në formën e tarifës, rreth 40 milionë euro u transferuan për punë fiktive në një skemë mashtrimi financiar me përfitues të dënuarit për mashtrim Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.

Njësoj kryeministri iu shmang pyetjeve nëse kishte firmosur kontrata me kompanitë e akuzuara tashmë për shpërdorim të miliona eurove, para se këto të ishin krijuar si kompani duke ia lënë përgjegjësinë “mekanizmit qeveritar”.

“Unë mbaj përgjegjësi për çdo firmë dhe çdo firmë e imja është fryt i një procesi dhe një mekanizmi dhe ai mekanizëm ka në përbërjen e vet përfaqësues nga institucione apo sfera të ndryshme që kanë kompetencat e tyre”, tha Rama.

“Shqipëria nuk është vetëm e imja, kështu që buzëqeshni pak edhe mos jetoni gjatë gjithë kohës me idenë e plehrave,” u tha Rama gazetarëve, pasi shpenzoi pjesën e parë të konferencës për të mburrur një projekt inovativ sipas tij të përkthimit të ligjeve të BE përmes Inteligjencës Artificiale.

Kontratat koncesionare për ndërtimin e inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, me kosto deri në sekuestrimin e tyre prej 150 milionë eurosh, përbëjnë skandalin më të madh korruptiv në historinë e Shqipërisë moderne.

Pas proceseve me kontratat e Elbasanit dhe Fierit, SPAK vendosi 15 masa sigurie për zyrtarët publikë të disa institucioneve dhe dy biznesmenët në arrati, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri./ BIRN

Arena e Lajmit

“Nuk jam llogaritar”, BIRN: Rama shmang përgjegjësinë për milionat e zhdukura në Sharrë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook