Me krahun e tij të djathtë në qeli pas hekurave dhe vetë i shpëtuar deri më tani nga burgu për aferën e inceneratorit të Tiranës, Erion Veliaj thotë se e ka ndërgjegjen e pastër. Ai zgjodhi Sokol Ballën në ABC për të folur pas arrestimeve të fundit të SPAK. Si gjithmonë kur kapet gafil në afera të përmasave të tilla, Veliaj flet për akuza të fabrikuara e që ai i çmonton me tre fletë.
“Ndryshon edhe si model nga Elbasani dhe Fieri edhe për faktin se intensiteti i vëmendjes për kryetarin e bashkisë së Tiranës nga opozita është më i madh, por edhe fabrikimi është më i madh. Edhe fabrikimi është i përmasave qesharake që çmontohet me tre fletë ndaj ndërgjegjen e kam të pastër. Nga ana procedurale, besoj që kolegët që janë të dy inxhinierë, këta kanë shkuar si inxhinierë për të treguar sa ton plehra prodhon bashkia. Në këtë fazë, unë besoj siç politikisht i kemi dhënë një goditje fatale këtyre dy pronave private, PD dhe LSI, kemi mundësi që edhe nga ana juridike që të provohet që dy inxhinerët e bashkisë kanë qenë aty për të kontribuuar në këtë komision me çfarë vlerash prodhohen mbetjet në Tiranë, por këtë do ta vlerësojë gjykata.
Kështu që unë jo vetëm që nuk kam arsye ta dyshoj hetimin por përkundrazi porosia që kam dhënë është që ne jemi të hapur dhe s’kemi asnjë kompleks për sa kohë që dokumentet janë në rregull dhe se prona nuk ka qenë e bashkisë por thjesht ishte në administrim. Për sa kohë që këshilli bashkiak ka votuar mbasi është firmosur kontrata në gusht, ka votuar në shtator. Në pranverën tjetër pasi kemi siguruar fondet, kam thënë po. Tani kemi mundësitë të bëjmë pagesë për këtë shërbim dhe jo për këtë investim.”, tha Veliaj.