Te Partizani me siguri kanë festuar në momentin kur Çoba shënoi golin e fitores për Vllazninë, pavarësisht se shkodranët i morën vendin e tretë të kuqve. Fitorja e Vllaznisë ndaj Kukësit vlejti sa një fitore për Partizanin. Nëse fitonte Kukësi, të kuqve u duheshin tri fitore në po aq ndeshje të mbetura, por tani u duhen dy dhe u lejohet një hap fals.
Siç dihet, me renditjen aktuale, Partizani e kap Europën edhe me vendin e katërt, ku ndodhet aktualisht.
Ditën e djeshme ekipi nisi përgatitjet për ndeshjen ndaj Egnatias, ndaj së cilës do të tentohet me çdo kusht fitorja, pasi rrogozhinasit janë shans i artë për të bërë hap drejt kualifikimit në Ligën e Konferencës. Lajmi i mirë është se Mehmeti e ka grupin të plotë dhe ka liri të plotë zgjedhjeje.
Arena e Lajmit