Në kuadër të operacionit “Flagranca”, ka rënë në pranga shtetasi me iniciale B.D.
Dyshohet se 25-vjeçari kërcënonte persona përmes celularit dhe i merrte para. Së fundmi, ai u kap në flagrancë në një lokal, ndërkohë që i merrte 5000 dollarë një shtetasi 42-vjeç, të cilin e kishte kanosur disa herë.
Ndërkohë, shuma e parave u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, si provë materiale.
Njoftimi i Policisë:
Reagim i menjëhershëm ndaj kallëzimeve të qytetarëve, për të garantuar liritë dhe të drejtat e tyre, si dhe sundimin e ligjit në territor.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Flagranca”.
Kanoste vazhdimisht nëpërmjet celularit, një 42-vjeçar, për t’i dhënë para, arrestohet në flagrancë teksa i merrte 5000 dollarë, në një lokal, 25-vjeçari.
Sekuestrohet kjo shumë parash.
Sapo kanë marrë kallëzim se një shtetas shantazhohej për të dhënë para, specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë dhe ata të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës kanë organizuar punën në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, dhe kanë ndërhyrë menjëherë për të bërë të mundur arrestimin e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, është finalizuar operacioni “Flagranca” gjatë të cilit është vënë në pranga shtetasi B. D., 25 vjeç, banues në Durrës.
25-vjeçari u kap në flagrancë në një lokal në lagjen nr. 13, ndërkohë që i merrte 5000 dollarë, një shtetasi 42 vjeç, të cilin e kishte kanosur disa herë, nëpërmjet celularit, për këtë qëllim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.