6 barazime në 6 ndeshjet e fundit, janë shifra që flasin qartë, Partizani është mbërthyer nga një krizë serioze duke zbehur jo pak “magjinë” e dhuruar fillimisht nga Arbër Abilaliaj. Mallkimi i “X” po përndjek Abilaliaj që në momentin kur u emërua zyrtarisht trajneri i “demave”. Barazimi i fundit 1-1 kundër Kukësit ishte një tjetër hap falas, duke bërë që tashmë vetë Abilaliaj, por dhe pjesa tjetër e stafit drejtues, të mendojnë për një trajner të ri.
Pak kohë më parë, në intervistën e tij për “News24”, Abilaliaj theksoi se një trajner në pankinë e mbajnë rezultatet, ndërsa pohoi gjithashtu që ka pasur kontakte me Orges Shehin. Burime për “News24” bëjnë me dije se Shehi pritet të ulet shumë shpejt në stolin e “demave”, madje gjatë Superkupës së Shqipërisë, në sfidën me Egnatian më 20 dhjetor.
Fakt është që Shehi dhe drejtuesit e Partizanit, kanë gjetur kohë më parë akordin ndërmjet tyre, por prezantimi i tij mbahej “peng” nga Tirana. Pasi fitoi gjyqin me bardheblutë, Shehi është një trajneri i lirë, tani është momenti për t’u ulur në stolin e kuq, pasi nuk ka më asnjë pengesë. Abilaliaj do të vijojë në rolin e tij, atë të drejtorit sportiv, ndërsa Shehi do të prezantohet si trajneri i ri.
()