Fitimet e investitorëve të huaj, vlera rekord edhe në tremujorin e tretë të vitit

Fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri shënuan përsëri një vlerë rekord në tremujorin e tretë të vitit.

Të dhënat e Bilancit të Pagesave tregojnë se të ardhurat e investitorëve të huaj arritën vlerën e 257 milionë eurove, në rritje me 16.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shuma e të ardhurave nga investimi përfaqëson fitimet e shpërndara ose të riinvestuara të investitorëve të huaj në vendin tonë.

Për të gjithë 9-mujorin 2023 ato arritën vlerën e 719 milionë eurove, në rritje me gati 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. në Shqipëri për periudhën dhe këtë vit ka shënuar nivelin më të lartë historik.

Në kahun e kundërt, edhe flukset hyrëse të të ardhurave nga investimet (të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga investimet jashtë vendit) për 9-mujorin 2023 u rritën në 139 milionë euro, 53% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithatë, bilanci neto i të ardhurave nga investimet ishte gjerësisht negativ në vlerën e 580 milionë eurove. Deficiti në këtë zë u rrit me 8.6% krahasuar me një vit më parë.

Duke qenë se investimet e huaja në Shqipëri janë shumë më të mëdha se investimet shqiptare jashtë vendit, qartësisht edhe bilanci neto i të ardhurave nga investimet ka qenë historikisht negativ.

Rritja e fitimeve të investitorëve të huaj në vitet e fundit mund të shpjegohet me disa faktorë.

Rimëkëmbja e shpejtë të ekonomisë pas pandemisë ka sjellë efekte pozitive edhe për ndërmarrjet e huaja që veprojnë në Shqipëri.

Megjithatë, një pjesë e mirë e rritjes mund t’i atribuohet forcimit të lekut në kursin e këmbimit me Euron. Për 9-mujorin 2023, kursi mesatar i këmbimit mes Euros dhe Lekut ishte 8% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në periudha të veçanta vjetore e kursit arriti deri në 14%.

Ndërmarrjet e huaja në përgjithësi i sigurojnë të ardhurat e tyre në Lekë, ndërsa fitimet për aksionerët i shpërndajnë në valutë të huaj. Forcimi i Lekut ka bërë që e njëjta sasi e monedhës vendase të përkthehet në një vlerë më të lartë në valutë të huaj, kryesisht në Euro. Për këtë arsye, mes aktorëve që kanë përfituar nga rënia e Euros në kursin e këmbimit, janë edhe investitorët e huaj.

Duke qenë se një pjesë e mirë e fitimeve nuk shpërndahen, por riinvestohen, forcimi i Lekut, në mënyrë të tërthortë, ka ndikuar edhe në rritjen e investimeve të huaja në vitet e fundit.

Fitimet e riinvestuara në vitet e fundit kanë marrë peshën kryesore në strukturën e investimeve të huaja direkte. Për 9-mujorin 2023, vlera e fitimeve të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja arriti në 575 milionë euro, 8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fitimet e riinvestuara përbënin 53% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte për 9-mujorin 2023./Monitor

Arena e Lajmit

Fitimet e investitorëve të huaj, vlera rekord edhe në tremujorin e tretë të vitit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook