Në 7 Dhjetor 2023, emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan transmetoi denoncimin e një qytetari nga Tirana, i cili ishte në proces gjyqësor për një cështje pronësie. Pasi i mori me rradhë shkallët e gjyqësorit, në fund e çoi cështjen në Gjykatën Kushtetuese. Për ndjekjen ligjore, i dha prokurë avokatit Fatmir Gjika.
Qytetari tha se kur u takua me avokatin, ky i fundit i kërkoi 500 mijë Lekë për kërkesë-padinë e më pas edhe 1500 Euro si ryshfet për gjyqtarët e Kushtetueses, në mënyrë që të fitonte gjyqin. Pasi mbaroi seanca, avokati i kërkoi edhe 500 mijë Lekë, që gjyqtarët të hanin edhe një drekë.
Të nesërmen e këtij transmetimi, Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë këtë pretendim të avokatit Fatmir Gjika, duke u shprehur, se po bën kallëzim penal ndaj tij në organet kompetente.
Denoncuesi: Kur u prezantuam në fillim më kërkoi vetëm 500 mijë Lekë për kërkesë-padinë dhe 50 mijë Lekë për prokurën. Unë ja dhashë paratë, i mori. Kaluan disa kohë dhe gjithë kohën kur e pyesja më thoshte që “e ke çështjen të fituar”. Pasi u zhvillua gjyqi, por nuk kishte dalë vendimi, më kërkoi dhe 500 mijë Lekë të tjera. I donin gjyqtarët e Kushtetueses për të ngrënë një drekë pasi të mbaronin gjyqin.
Avokati: S’ka rëndësi! Unë e pata një faj vetë. “Shkoni hani një drekë, se erdha”! Dhe është më tepër ai morali, sic thua ti. Ja, inati i shqiptarëve.
Pas këtyre zhvillimeve, avokati Fatmir Gjika telefonon qytetarin, duke i thënë, se me denoncimin, që bëri, mund të shkojë “edhe në atë dynja”.
Avokati Fatmir Gjika: E nxorre tek “Stopi”?
Avokati: Dola shumë bukur aty…
Qytetari: Nuk mund të tallesh ti, ja tani, ja pastaj, të të jap Lekët.
Avokati: Faleminderit. T’u rrittë ndera! I nderuar qofsh!
Qytetari: Ti nuk mund të m’i marrësh Lekët mua nga xhepi! T’i marrësh për veten tënde dhe thuaj ja jap Kushtetueses.
Avokati: A do të incizosh prapë?
Qytetari: Prapë do të të incizoj, s’diskutohet! Të mësosh si të sillesh me njerëzit dhe të mos mashtrosh.
Avokati: Dhe ti mundohu të sillesh me njerëzit se mund të shkosh edhe në atë atë dynja.
E megjithë kërcënimin, qytetari arriti të marrë mbrapsht paratë, që i kish dhënë avokatit Gjika.
Qytetari: Pas transmetimit në emisionin “Stop” për rastin tim mua më kthyen Lekët, mora Lekët e mia dhe ju falenderoj shumë emisionit “Stop”, më keni bërë nder pasi unë mora Lekët e mia. Shumë faleminderit!/ Tv Klan