Me shumë sforco dhe pa shkëlqim, Barcelona rikthehet më në fund te fitorja, thyen Almeria 3-2, një ndeshje ku trajneri Xavi shijon vetëm 3 pikët, pasi loja dhe mbi të gjitha shpirti i këtij ekipi nuk e kënaq. Të vuash kaq shumë kundër një ekipi që nuk ka marrë asnjë fitore këtë sezon, vetëm 5 pikë në 18 javë është e papranueshme. Goli i avantazhit erdhi vetëm në minutën e 33-të, ku Raphina i vetëm në zonë e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë.
Në fundin e pjesës së parë, në minutën e 41-të, Barcelona u befasua teksa Almeria barazoi shifrat në 1-1. Në fraksionin e dytë, në minutën e 60-të, gjatë zhvillimeve të një goditje këndi, në shtyllën e parë, me kokë Sergi Roberto rikthehu edhe një herë Barcelonën në avantazh. Sigurisht që ekipi i Xavit kishte kontrollin e lojës, por Almeria nuk u dorëzua duke u rikthyer edhe një herë në lojë në minutën e 71-të, ku Gonzalez barazoi shifrat në 2-2. Kapiteni i Barcelonës, Sergi Roberto bëri heroin në këtë sfidë, në minutën e 83-të realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për blaugrant.
Për të ruajtur këtë trepikësh, Barcelonës iu desh edhe portieri Inaki Pena duke bërë që në fund jo të gjithë të festonin për këtë fitore, aq më pak trajneri Xavi i cili shpërtheu në konferencë për shtyp:
“Pjesa e parë ishte e papranueshme, presioni dhe agresiviteti i ekipit ishte i papranueshëm. Duhet të vrapojmë si kafshë, të jemi të bashkuar, të japim shpirtin në fushë, në të kundërt nuk arrijmë asgjë. Nuk jemi Barcelona e 2010, por të paktën vitin e shkuar ishim agresiv dhe kishim shpirt. I kuptoj tifozët që vërshëllejnë. Lojtarët, për respekt të shoqërisë, duhet të japin shpirtin në fushë, gjë që nuk e bënë në pjesën e parë”, u shpreh Xavi pas ndeshjes.
()