Reali i Madridit arriti një fitore dramatike 1-0 në fushën e Alavesh, teksa iu fal golit të Lukas Vaskez në minutën e 92-të.32-vjeçari goditi saktë me kokë pas një harkimi nga këndi nga ana e Toni Kros, duke i dhuruar 3 pikë të arta në një ndeshje që dukej se po mbyllej në barazim pa gola.
Një sukses që ngjit në krye skuadrën e Ançelotit, që përfitoi nga barazimi 1-1 i Hironës në transfertë ndaj Betis. Me këtë 3 pikësh, Reali barazoi Hironën, por madrilenët e mbyllin vitin 2023 në krye për shkak të golavarazhit më të mirë. Vlen të theksohet fakti se Reali luajti prej minutës së 54-t me 10 lojtarë, pas daljes me karton të kuq të Naço Fernandez.
Trajneri Carlo Ancelotti theksoi pas ndeshjes rëndësinë e një fitoreje kaq të vështirë. “Jemi të kënaqur, ne fituam falë angazhimit të madh të ekipit. Ndeshja ishte e komplikuar. Me një lojtar më pak të gjithë menduan se ishte dita për t’u ndaluar, por qëndruam shumë mirë dhe morëm tri pikët.
Për Nacho-n, arbitri pa të verdhën, ndërsa VAR-i pa të kuqen. Ky është problemi i futbollit” – u shpreh Ancelotti, i cili në fund të përshëndeti edhe vendimin për dhënien e dritës jeshile për krijimin e Superligës Evropiane.
()