Rama dhe Gerapetritis
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Gerapetritis ka komentuar reagimin e kryeministrit Edi Rama një ditë më parë për rastin e Fredi Belerit. Në një intervistë për televizionin shtetëror grek ERT, Gerapetritis tha se është hap pozitiv fakti që kryeministri Edi Rama pranoi Fredi Belerin si kryetar të zgjedhur të bashkisë së Himarës.
“Në të vërtetë, ka pasur një hap pozitiv nga ana e kryeministrit shqiptar, i cili në parim pranoi që kemi një kryetar të ri dhe ish-kryetari Goro duhet të largohet patjetër. Më pas do të vlerësojmë nëse veprimet e radhës janë të përputhshme me ato që kemi vënë si kusht”, tha Gerapetritis.
Duke komentuar postimin e kryeministrit të Shqipërisë në rrjetet sociale, Gerapetritis theksoi se “për herë të parë Edi Rama pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe e quajti shprehimisht Fredi Belerin si kryetar të zgjedhur”.
Ai shtoi se “kryeministri shqiptar madje pranoi që ish-kryetari i bashkisë nuk mund të mbajë detyrën dhe nënvizoi: “Për momentin ajo që duhet bërë është zëvendësimi i menjëhershëm i ushtruesit të detyrës, zotit Goro”.
Duke iu referuar vendimit të gjykatës shqiptare për korrupsionin dhe krimin e organizuar, ai vuri në dukje se ka marrë disa konsiderata, duke përfshirë se Fredi Beleri është kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës dhe se për momentin mbajtja në paraburgim të përkohshëm e pengon të bëjë betimin dhe të marrë detyrën dhe se ish-kryetari Goro nuk mund të shërbejë si kryetar bashkie.