Ministria e Drejtësisë është duke planifikuar një skemë amnistie prej të cilës mund të përfitojnë rreh 600 të dënuar, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, përmes një shkrese ka kërkuar bashkëpunim me këtë ministri, për të krijuar profilet e ADN-së për çdo të burgosur.
“Shkresa e z.Rrumbullaku, për të patur një database me profile gjenetike të ADN-së të personave të dënuar apo paraburgosur është një ndihmesë shumë e madhe që i vjen policisë së Shtetit. Mund të bëhet krahasimi fare lehtësisht dhe të ketë një autor të dyshuar.
Merret një profil i tillë gjenetik dhe ruhet në kartotekën e policisë, në Shqipëri nuk ka ndodhur kjo të paktën deri më tani”, tha gazetarja Klodiana Lala e cila zbardhi edhe shkresën në fjalë.
Profili i AND do të jetë një provë fajësie e pakundërshtueshme, ndërsa të gjithë të dënuarve do tu merret një kampion biologjik.
Sipas Rrumbullakut, në këtë rast bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Drejtësisë është i nevojshëm.
Ai kërkon të marrë mostrat e AND-së së të burgosurve, ndërsa thotë se do të sigurojë grupe ekspertësh, si dhe tamponë për procesin. Ky proces pritet të përfundojë para nisjes së zbatimit të amnistisë.
“Duke qenë se nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, është duke u planifikuar një skemë amnistie, është i nevojshëm bashkëpunimi për marrjen e mostrave të AND-së të të burgosurve që do të përfitojnë nga kjo amnisti në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit”, thuhet ne kërkesën e kreut të Policisë së Shtetit.