Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka deklaruar se po ndjekin situatën në pikat kufitare me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi me rastin e festave të fundvitit shumë turistë dhe emigrantë vijnë në Shqipëri.
Përmes një postimi në Facebook, ai falenderon kolegët ministra të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut përkatësisht Giannis Oikonomou dhe Oliver Spasovski, me të cilët ka komunikuar, për gatishmërinë dhe bashkëpunimin në shtimin e sporteleve dhe punonjësve të policisë.
Sakaq, Balla thotë se nuk paraqiten vonesa të shumta në pikat e tjera të kalimit me Kosovën dhe Malin e Zi, por vijojnë të ndjekim dhe aty flukset.
“Gjatë festave shumë bashkatdhetarë dhe turistë të shumtë vijnë në Shqipëri për të festuar Krishtlindjen dhe ndërrimin e viteve. Po ndjekim orë pas ore situatën në pikat e kalimit kufitar me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut (Kakavijë, Kapshticë, Qafëthanë) ku në momente të caktuara krijohen radhë të mjeteve që presin të hyjnë në Shqipëri kryesisht.
Dëshiroj të falenderoj kolegët ministra të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut përkatësisht Giannis Oikonomou dhe Oliver Spasovski, me të cilët sapo kam komunikuar, për gatishmërinë dhe bashkëpunimin në shtimin e sporteleve dhe punonjësve të policisë në pikat e kontrollit kufitar.
Nuk paraqiten vonesa të shumta në pikat e tjera të kalimit me Kosovën dhe Malin e Zi, por vijojmë të ndjekim dhe aty flukset”, ka shkruar ministri Balla.