Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një bashkëbisedim me qytetarët përmes Facebook, në ditën e Krishtlindjeve ndërsa ka kërkuar të sqarojë edhe njëherë se kundër tij nuk ekziston asnjë dëshmi.
Ndërsa më 26 dhjetor pritet që Gjykata e Posaçme të vendosë për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit, ai thotë se për të gjithë ata që e akuzojnë se nuk i njeh Gjykatat dhe Prokurorinë, ai në fakt nuk përfill vetëm vendimin e një gjykatëseje që është shkarkuar nga vetë ai në 1996-ën.
Në këtë betejë, thotë Berisha, “nuk bëri asgjë tjetër, veçse mbrojti Kushtetutën.”
Sali Berisha: Nuk ka një punonjës që të paraqesë ankesën apo dëshminë më të vogël se Sali Berisha ka ndërhyrë në këtë proces.
Por ka diçka tjetër. Së pari, e gjithë dacibao e Edi Ramës dhe prokurorëve të tij është e ndërtuar mbi fshehjen e dokumenteve zyrtare. Është formuluar duke mos e pyetur asnjë herë Sali Berishën dhe as Jamarbër Malltezin, sepse dihej se shpjegimet e tyre do asgjësonin pretendimet e tyre.
Ju keni konstatuar se unë kam ndjekur me përpikmëri, ose kam kërkuar asgjë tjetër përveç zbatimit të Kushtetutës dhe ligjit.
Edi Rama, duke parë se me Kushtetutën dhe ligjin nuk mund të bënte asnjë veprim, sepse nuk kishte asnjë bazë, zgjodhi rrugën e dhunimit të Kushtetutës dhe ligjit.
Ju keni dëgjuar se si larot, lakejtë, puthadorët e narkodikaturës, gjatë këtyre javëve të fundit, përsërisin se Shqipëria nuk përfill gjykatat, Berisha nuk përfill prokurorinë.
E vërteta është se unë kam përfillur gjykatat dhe kam dërguar aty në përputhje me ligjin avokatët e mi. Unë kam përfillur parlamentin, komisionin hetimor parlamentar dhe kam dërguar aty avokatërit e mi. Kam përfillur Gjykatën Kushtetuese dhe grupi i PD i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Por unë nuk kam përfillur vendimin antikushtetues të një gjykatëse që është shkarkuar nga Sali Berisha me datën 8 shkurt 1996 dhe në përputhje me ligjin e vendit dhe çdo ligj tjetër të botës jodiktatoriale, ajo nuk mundej kurrë të shqyrtonte dosjen e njeriut që e ka shkarkuar.
Nuk kam pranuar atë vendim, ndonëse theksoj se vendimet e gjykatës për mua janë ligj, por ligjet kanë hierarkinë e tyre. Në hierarkinë e ligjeve, Kushtetuta është ligji suprem.
Kushtetuta është ligji i të gjitha ligjeve. Kushtetuta urdhëron çdo qytetar të mos pranojë asnjëherë një vendim antikushtetues.
Sikundër ligjet urdhërojnë çdo punonjës të mos pranojnë asnjëherë një vendim antiligjor.
Pra, në këtë betejë, Sali Berisha nuk bëri asgjë tjetër veçse mbrojti Kushtetutën, mbrojti shtetin ligjor, mbrojti ato parime pa të cilat rendi demokratik nuk ekziston dhe u faktoi shqiptarëve se Shqipëria tashmë është një narkokraturë. Se në Shqipëri, shteti ligjor është zëvendësuar me narkoshtetin.