“Zyrtari më i lartë i opozitës i vendosur në ‘arrest shtëpie’”, Birn për masën ndaj Berishës: Kërkesat për përjashtimin e gjyqtares u rrëzuan në vazhdimësi

Një grup oficerësh të Policisë Gjyqësore mbërritën në pallatin ku banon ish-kryeministri Sali Berisha në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë të shtunën pasdite për t’i komunikuar masën e arrestit në shtëpi, të vendosur më parë nga gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka.

Sipas vendimit të shkurtuar të gjykatës, Berisha urdhërohet të mos largohet nga banesa e tij si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë, përveç atyre “që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të”.

Pas përfundimit të seancës në Gjykatën e Posaçme, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj e cilësoi të pabazuar vendimin dhe u shpreh se do ta apelonin atë brenda afatit. Gjokutaj kundërshtoi gjithashtu vendimin për moslejimin e komunikimit për Berishën si privim i të drejtave dhe lirive për një deputet.

“Ajo që ishte shqetësuese është se ky vendim vjen me ndalim komunikimi për një deputet. Duhet të ishte marrë autorizim i veçantë nga kjo gjykatë,” tha Gjokutaj, i cili shtoi se Berisha po e priste vendimin e gjykatës në shtëpinë e tij.

Berisha, 79 vjeç, është zyrtari më i lartë i opozitës në tre dekada që përballet me një situatë të tillë ligjore. Hera e fundit që një ish-kryeministër është përballur me heqje imuniteti dhe arrestim ka qenë korriku i vitit 1993, kur mazhoranca e asaj kohe e Partisë Demokratike autorizoi arrestimin dhe përndjekjen e ish-kryeministrit socialist, Fatos Nato.

Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë cilësuar këtë masë si përpjekje për asgjësimin e opozitës.

Kërkesa për zëvendësimin e masës së arrestit u bë pasi Berisha refuzoi të zbatonte masat e mëparshme të detyrimit për paraqitje dhe ndalimit të daljes jashtë shtetit, duke i konsideruar ato si antikushtetuese. Kodi i Procedurës Penale parashikon ashpërsimin e masës në raste të tilla.

Gjatë një jave, seanca për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj Berishës u shty disa herë. Kërkesa e SPAK mbërriti në gjykatë të shtunën e kaluar, pas marrjes në Kuvend të autorizimit për heqjen e imunitetit të Berishës më 18 dhjetor, por seanca e të martës u shty pasi përfaqësuesit ligjorë të ish-kryeministrit, avokatët Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, kërkuan më shumë kohë për t’u njohur me provat shoqëruese.

Po ashtu, avokatët e Berishës kërkuan disa herë përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, me argumentin se ish-kryeministri Berisha ka qenë kryetar i ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitin 1996, kur sipas tij është marrë vendim për shkarkimin e gjyqtares Gjoka. Kërkesat u rrëzuan në vazhdimësi nga gjykata.

Arena e Lajmit

“Zyrtari më i lartë i opozitës i vendosur në ‘arrest shtëpie’”, Birn për masën ndaj Berishës: Kërkesat për përjashtimin e gjyqtares u rrëzuan në vazhdimësi

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook