Një serë ngjarjesh morën vëmendjen e botës përgjatë vitit 2023. Ngjarje këto që ndikuan drejtëpërdrejtë ose tërthorazi tek njerëzimi dhe që do të mbahen mend gjatë.
Lufta Rusi-Ukrainë e cila duket se nuk ka fund trazoi edhe gjatë këtij viti “ujërat” në botë. Për të mos mjaftuar një luftë, një tjetër betejë e përgjakshme tronditi botën në tetor të këtij viti, lufta Izrael-Hamas, e cila ka shkaktuar mijëra persona të vrarë.
Tensione të dhunshme dhe të përgjakshme pati edhe në rajon. Situata e tensionuar mes Serbisë dhe Kosovës, agravoi deri në vrasjen e oficerit të policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Gjatë 2023 bota u trondit nga fatkeqësia natyrore që goditi Turqinë dhe Sirinë. Në fillim të shkurtit një tërmet apokaliptik vrau mijëra njerëz dhe la të pastrehë miliona banorë. Ndërsa zhvillimi i Inteligjrncës Artificiale ndryshoi standartet e njerëzimit.
Përgjatë 2023 nuk munguan as aksidentet tragjike, siç ishte tragjedia në Larisa të Greqisë, e as vrasjet masive siç është rasti i Çekisë.
Më poshtë listojmë 10 ngjarjet e bujshme në botë përgjatë vitit 2023
Fundi i Luftës Rusi-Ukrainë është ende larg. Gjatë 2023-it pushtimi rus i Ukrainës hyri në vitin e dytë të luftës, një konflikt vdekjeprurës, i paprecedentë në Evropë që nga viti 1945. Ka shumë debate nëse konflikti ka hyrë në një ngërç dhe se kush është përgjegjës që Ukraina nuk po përparon më shpejt. Teksa forcat ruse nuk kanë fituar asnjë terren të rëndësishëm që nga vera e vitit 2022, presidenti rus Vladimir Putin “vë bast” për lodhjen perëndimore.
Tashmë, dërgesat e armëve në Ukrainë janë ngadalësuar, ndërsa Kongresi i SHBA-ve po pengon miratimin e ndihmave shtesë për Ukrainën. Republikanët insistojnë se duhet ndarë më shumë buxhet për të forcuar kontrollin e kufijve të SHBA-së me Meksikën. Ukraina ka paralajmëruar që lufta dhe financat e saj publike do të jenë në rrezik të madh, nëse do të ndalen ndihmat prej Perëndimit. Ukraina ka regjistruar ndryshim të vogël të linjës së kontrollit, pas nisjes së kundërofensivës pranverore, dhe tani po përballet me një rënie graduale të ndihmave prej aletëve në Uashington dhe Evropë.
Presidenti rus, Vladimir Putin shpalli disa ditë më parë kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të 2024-ës.Vdekja e kreut mercenar Wanger, Yevgeny Prigozhin në verë të 2023-it ishte një ndër ngjarjet që tronditi “themelet” e Kremlinit. Prigozhin vdiq gjatë rrëzimit të një avioni privat në veri të Moskës më 23 gusht. Rebelimi, që Prigozhini kreu dy muaj para se avioni i biznesit të tij të rrëzohej, ishte sfida më e madhe me të cilën Putini është përballur.
Vitin që lamë pas Ukraina festoi për herë të parë Krishtlindjet më 25 Dhjetor. Në të kaluarën Ukraina festonte Krishtlindjen më 7 janar. Këtë herë, në përpjekje për ta distancuar vendin e tyre nga Rusia dhe tradita e saj ortodokse, Ukraina miratoi ligjin që zhvendosi festën e Ditës së Krishtlindjes më 25 dhjetor. Në fund të dhjetorit,Rusia ndërmori sulmet më të rënda ajrore ndaj Ukrainës që nga fillimi i luftës. Prej sulmeve të raketave ndaj disa qyteteve janë vrarë të paktën 30 persona dhe janë plagosur më shumë se 140 të tjerë. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
2-Tërmeti katastrofik në kufirin Turqi-Siri
Tërmeti i 6 shkurtit, me magnitudë 7.8 Rihter vrau më shumë se 54,000 persona, pjesa më e madhe e të cilëve në Turqi. Më shumë se 300,000 ndërtesa u rrëzuan apo u dëmtuan rëndë, sipas autoriteteve të vendit. Tërmeti shkatërrues në kufirin Turqi-Siri la në qiell të hapur mbi 1.5 milionë qytetarë, të cilët u detyruan të jetonin në çadra, pasi shtëpitë e tyre u shembën nga tërmeti.
Më shumë se 600 njerëz u hetuan në Turqi për ndërtesat që u shembën nga tërmeti vdekjeprurës i 6 shkurtit. 184 të dyshuar përfshirë kontraktorët e ndërtimit dhe pronarët e ndërtesave u arrestuan në kuadër të hetimeve. Partitë e opozitës dhe disa ekspertë ndërtimi në Turqi akuzojnë administratën e presidentit, Rexhep Tajip Erdogan për dështim të zbatimit të rregulloreve të ndërtimit.
Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare më datë 12 Qershor 2023. Berlusconi vuante nga një sëmundje e mushkrive dhe leuçemia. Lideri i “Forza Italia” ndërroi jetë në spitalin San Raffaele në Milano.
Silvio Berlusconi ka shërbyer katër herë si kryeministër i Italisë, përkatësisht në vitet 1994-1995, 2001 – 2006, si dhe në vitet 2008 – 2011. I diplomuar me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin Jurdik të Milanos në vitin 1961, Berlusconi arriti suksese të njëpasnjëshme në fushën e Biznesit. E nisi duke themeluar një kompani ndërtimi vetëm një vit pasi u diplomua.
Në fund të viteve 70 ai përqëndroi investimet e tij të biznesit në disa medie italiane, ku bleu disa aksione të gazettes “Giornale”, ndërsa në vitin 1978 ai themeloi rrjetin televiziv “MediaSet” pjesë e të cilit janë edhe Channale 5, Italia -1 dhe Rete – 4.
4-“Shpërthimi” i Inteligjencës Artificiale
Inteligjenca Artificiale (AI) hyri në ndërgjegjen publike në vitin 2022 me lançimin e ChatGPT. Në vitin 2023, teknologjia jo vetëm që është përmirësuar dhe zhvilluar, versioni i fundit i ChatGPT është shumë më i mirë se versioni i vitit të kaluar, por gjithashtu qeveritë, kompanitë dhe individët kanë vepruar shpejt për të përfituar nga potenciali i saj. Kjo ka ndezur debate të “nxehta” nëse AI po sjell një epokë të re të krijimtarisë dhe prosperitetit njerëzor, apo hapjen e kutisë së Pandorës që do të krijojë një të ardhme makthi.
Mbështetësit e Inteligjencës Artificiale kanë vënë në dukje se si kjo risi po ndihmon zbulimet shkencore me një ritëm të paprecedentë në një numër të madh sektorësh, duke mundësuar dizenjimin dhe krijimin e shpejtë të ilaçeve dhe zgjidhjen e problemeve matematikore në dukje të pazgjidhshme. Ndërkohë pesimistët paralajmërojnë se teknologjia po zhvillohet më shpejt se aftësia e njerëzve për të vlerësuar dëmin që mund të shkaktojë, ata i frikësohen fenomeneve masive të papunësisë, por edhe krijimit të pabarazive sociale me fazën përfundimtare që arrin deri të zhdukja e njerëzimit. Geoffrey Hinton, një nga pionierët, la punën e tij në Google për të paralajmëruar për rreziqet e inteligjencës artificiale, ndërsa udhëheqës të teknologjisë si Elon Musk dhe Steve Wozniak nënshkruan një letër të hapur duke paralajmëruar se AI është “rrezik për shoqërinë dhe njerëzimin nëse është në duart e gabuara”.
5-Përplasja e dy trenave në Greqi
57 persona humbën jetën mbrëmjen e 28 Shkurtit si pasojë e përplasjes së dy trenave në Larisa të Greqisë. Në mesin e viktimave ishin edhe katër shqiptarë; Ifigjenia Micka, Pavlin Bozo, Joanis Xhollas dhe Klaudia Lato. Ngjarja tragjike ndodhi në Tempi pranë qytetit të Larisës teksa treni i pasagjerëve po dilte nga një nënkalim në autostradë.Treni po udhëtonte nga Athina drejt Selanikut dhe në të ishin shumë studentë që po ktheheshin pas pushimeve. Ish-kreu i kompanisë të rrjetit hekurudhor OSE, që dha dorëheqje pas aksidentit, është duke u ndjekur penalisht. Gjithashtu tre zyrtarë të tjerë të hekurudhave u përballën me drejtësinë për shkak të përplasjes së trenave.
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit në Greqi Kostas Karamanlis dha dorëheqjen pas aksidentit tragjik. Tragjedia nxiti protesta ku morën pjesë dhjetëra mijëra persona që shprehën pakënaqësinë e tyre me Qeverinë, e cila në tetë vitet e fundit është udhëhequr nga konservatori Mitsotakis apo nga rivali i tij kryesor, majtisti Alexis Tsipras. Qeveria u përball me kritika pasi fillimisht tentoi që t’ia linte fajin zyrtarëve të hekurudhave. Sindikatat e punëtorëve të hekurudhave për vite me radhë kanë paralajmëruar për rreziqet e sigurisë, duke argumentuar se rrjeti hekurudhor ka pak staf dhe për një dekadë nuk ka pasur investime. Mitsotakis më pas kërkoi falje dhe u zotua se do të përmirësojë gjendjen e sigurisë në hekurudha në bashkëpunim me ekspertët e Bashkimit Evropian dhe me operatorin francez të trenave, SNCF.
6-Tensionet në veri të Kosovës dhe vrasja e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku
Më 24 Shtator të 2023-it Kosova u zgjua me të shtëna armësh, ku në veri të vendit mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku si dhe u plagos efektivi Alban Rashiti. Afrim Bunjaku ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës që prej vitit 2001. Më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zveçanit, teksa po kryente një operacion për heqjen e një barrikade të vendosur në rrugë. Si pasojë e sulmit mbeti i vrarë Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa policë të tjerë. Tre sulmues të dyshuar mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, ndërkaq katër persona u arrestuan për këtë sulm, që Kosova e konsideron terrorist dhe për të fajëson Serbinë. Beogradi ka mohuar se ka gisht në këtë ngjarje.
Më 27 shtator në Serbi u shpall ditë zie për tre serbët e vrarë në Banjskë. Ky vendim u kritikua edhe nga Bashkimi Evropian. Zëdhënësi i bllokut, Peter Stano, deklaroi se “nuk mund të barazohen viktimat e terrorizmit me terroristët”. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha më 27 shtator se ai kurrë nuk mund t’i cilësojë si “terroristë” pjesëtarët e grupit të armatosur që sulmuan Policinë e Kosovës.
Zyrtarët në Kosovë akuzuan nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiç për sulmin në veri dhe vrasjen e Afrim Bunjakut. Por arrestimi i Radoiçiç nga autoritetet serbe zgjati vetëm 24 orë. Gjyqtari i procedurës paraprake rrëzoi propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për lënien në paraburgim për Radoiçiçin, me arsyetimin e rrezikut të arratisjes. Sipas vendimit Radoiçiçit i është ndaluar largimi nga territori i Serbisë, pa miratimin e gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës. Ai akuzohet për blerje të armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzla në Bosnje dhe Hercegovinë, nga janari 2023 deri më 24 shtator.
Një tjetër luftë tronditi botën gjatë 2023-it. Bëhet fjalë për betejën e përgjakshme midis Izraelit dhe Hamasit. Rreth 150,000 palestinezë po detyrohen të largohen nga zonat e Gazës qendrore, teksa forcat izraelite përparojnë në kampet e refugjatëve atje.Lufta nisi nga një sulm i paprecedentë ndërkufitar nga persona të armatosur të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, në të cilin u vranë 1200 njerëz, shumica civilë dhe rreth 240 të tjerë u morën peng. Deri më tani në Gaza janë vrarë më shumë se 21,300 njerëz, kryesisht fëmijë dhe gra, sipas ministrisë së shëndetësisë. Ofensiva e paprecedent e Izraelit nga toka dhe ajri kundër Hamasit grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja ka zhvendosur rreth 85 për qind të popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh, të cilët po kërkojnë strehim në zonat që Izraeli i ka cilësuar si të sigurta, por të cilat janë bombarduar nga ushtria. Kjo ka bërë që palestinezët të mos jenë të sigurt në asnjë pjesë të enklavës së vogël.
Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë Hamasin dhe do të lirojë mbi 100 pengje që ende mbahen nga grupi radikal, që kur ai kreu sulme në jug të Izraelit më 7 tetor. Zyrtarët e Izraelit kanë refuzuar thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim, duke thënë se një ndalje e luftimeve do të përbënte fitore për Hamasin.
Popullsia e Gazës është “në rrezik të madh” paralajmëroi më 27 dhjetor kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke përmendur urinë akute dhe dëshpërimin e përhapur në mbarë territorin e shkatërruar nga lufta. Shefi i OBSH-së, Adhanom Ghebreyesus, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë “hapa urgjentë për të lehtësuar rrezikun e madh me të cilin po përballet popullsia në Gazë dhe që po rrezikon aftësinë e punëtorëve humanitarë për të ndihmuar personat që kanë plagë të tmerrshme, të ndihmojnë në lehtësimin e urisë akute dhe të ulin rrezikun e sëmundjeve të rënda”.
Fundi tragjik i nëndetëses “Titan” me 5 anëtarë në bord, të cilët humbën gjurmët që prej të dielës së 18 qershorit mori vëmendjen e të gjithë botës. Më datë 22 qershor, pas katër ditësh kërkime, Roja Bregdetare e SHBA-së, konfirmoi se nëndetësja kishte shpërthyer dhe se rrënojat e gjetura në zonën detare ku u kryen kërkimet, i përkisnin nëndetëses “Titan”. 5 miliarderët që humbën jetën janë: Stockton Rush, Shahzada Dawood dhe djali i tij Suleman Dawood, Hamish Harding dhe Paul-Henri Nargeolet. Ata ndodheshin brenda në nëndetësen “Titan” dhe po përpiqeshin të eksploronin mbetjet e Titanikut. Vdekja e tyre besohet se ka ndodhur në atë që Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka quajtur shpërthim katastrofik, duke u bazuar në mbetjet e gjetura të nëndetëses.
Nëndetësja Titan kishte rreth katër ditë furnizim me oksigjen për frymëmarrje kur u nis në Atlantikun verior. Në konferencën e urgjencës për shtyp, admirali John Moger njoftoi se një automjet me telekomandë kishte zbuluar pjesë të Titanit rreth 500 metra larg harkut të Titanikut në fundin e detit. Por ka ende shumë pyetje se si, pse dhe kur ndodhi incidenti.
9-Hetimi ndaj Trump, akuzat janë zyrtare
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump u bë presidenti i tretë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që do të hetohet për shkarkim nga Senati, pas votës që miratoi akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe mosbashkëpunim me Senatin, ç’ka pritet të rrisë tensionet mes palëve. Seanca e parë do të zhvillohet muajin që vjen në Senatin e kontrolluar nga Republikanët dhe sipas Kushtetutës për shkarkimin e tij nevojiten 2/3 e votave. Në historinë 243-vjeçare të Presidencës amerikane asnjë president nuk është shkarkuar nga Senati.
Ndaj ish-Presidentit Trump janë ngritur padi si në nivel federal ashtu edhe në shtetin e Xhorxhias lidhur me rolin e tij në përpjekjen për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, por ndaj tij nuk janë ngritur akuza për kryengritje apo rebelim në lidhje me sulmin e 6 janarit.
Ai kryeson garën brenda partisë për të fituar emërimin zyrtar si kandidat për president, me një diferencë të madhe ndaj kandidatëve të tjerë republikanë. Më 19 dhjetor, Gjykata e Lartë e Kolorados e skualifikoi Trump nga zgjedhjet paraprake të shtetit, duke e bërë atë kandidatin e parë në historinë e vendit që konsiderohet i papërshtatshëm për të garuar për president për shkak të asaj që gjykata e cilësoi si përfshirje e tij në kryengritje. Vendimi 4 me 3 i Gjykatës së Lartë të Kolorados nuk do të hyj në fuqi deri më 4 janar, një ditë para printimit të fletëve të votimit për zgjedhjet paraprake në këtë shtetet, ose derisa Gjykata e Lartë të marrë një vendim. Trump ka thënë se do ta apelojë vendimin e Kolorados në Gjykatën e Lartë dhe e ka kritikuar atë duke e konsideruar vendimin si “jodemokratik”.
10- Studenti vrau 14 persona në Çeki
Një student 24-vjeçar, hapi zjarr në fakultet më 21 dhjetor duke vrarë 14 persona dhe më pas veten. Tragjedia ndodhi në Pragë të Çekisë. Gjithashtu si pasojë e sulmeve u plagosën njëzetë e pesë persona të tjerë. Të shtënat masive tronditën pasditen e 21 dhjetorit njërin nga vendet më të sigurta në botë. Sulmuesi që vrau 14 persona në një universitet në Pragë, ditë më parë, kishte rrëfyer edhe për një vrasje tjetër të dyfishtë përmes një letre, para se të kryente vetëvrasje. Letra është gjetur në shtëpinë e David Kozakut dhe përmes saj, ai ka treguar se ka vrarë një burrë dhe vajzën e tij të vogël në një pyll afër Pragës, më 15 dhjetor, gjashtë ditë para sulmit në Universitetin e Karlit. Sulmi në universitet, më 21 dhjetor, ka qenë sulmi më i rëndë me të shtëna me armë zjarri në historinë e Çekisë.
I themeluar më 1347, Universiteti i Karlit është më i vjetri dhe më i madhi në Republikën Çeke, dhe një prej institucioneve edukative më të vjetra në Evropë.