Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka dhënë urdhër për inspektimin në barë vendin, dhe në mënyrë periodike, për masat dhe mjetet e mbrojtjes nga zjarri në çdo objekt.
“Në ushtrim të kompetencave si Ministër i Brendshëm për orientimin e zbatimit të politikave të veprimtarisë së shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, kam udhëzuar sot një inspeketim në shkallë vendi të masave dhe mjeteve për rritjen dhe garantimin e sigurisë publike nga zjarri dhe shpëtimi.
Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin në Ministrinë e Brendshme, njësitë e MZSH-së në çdo bashki, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit dhe inspektoratet e mbrojtjes së territorit në çdo bashki janë udhëzuar sot të kontrollojnë prej nesër dhe në mënyrë periodike masat dhe mjetet e mbrojtjes nga zjarri në çdo objekt, me kritere specifike sipas nivelit të rrezikut”, shprehet Balla.
Kujtojmë se pak ditë më parë një ndërtesë 12 katëshe në Lushnje, u shkrumbua nga zjarri duke lënë pas dëme të shumta materiale, por për fat të mirë nuk pati njerëz të lënduar.