Chelsea-t nuk i mjaftuan milionat euro të investua në verë për të rikthyer ekipin konkurrues në Angli dhe kjo ka bërë që drejtuesit e klubit të futen sërish në treg për të gjetur elementë të rinj, me shpresën që këtë herë të godasin në shenjë.
Një çështje më vete mbetet edhe Armando Broja. Këtë periudhë, pas rikthimit të tij në fushë, trajneri Pochettino i ka dhënë minuta të rëndësishme, por sulmuesi kuqezi ka qenë larg pritshmërive dhe kjo ka bërë që Broja të mos shihet më si i paprekshëm në sytë e trajnerit dhe stafit drejtues.
Prej kohësh flitet për një largim të tij nga Londra gjatë janarit, madje edhe me titull definitiv. Broja shihet nga drejtuesit si një kartë për të ulur kostot e merkatos. Fillimisht është folur për një përfshirje të tij në negociatat që mund të kryen për të arritur te Victor Osimhen, ndërsa së fundmi “The Sun” e dërgon në Portugali.
Chelsea është vënë në ndjekje të Antonio Silva-s të Benfica-s, një mbrojtës për të zëvendësuar Thiago Silva-n. Mbrojtësi portugez po zhvillon një sezon fantastik, por drejtuesit e klubit portugez nuk e lëshojnë pa 87 milionë sterlina.
Në kushte të tilla, Chelsea mund të përdor kartën Broja për të ulur kostot, kartoni i sulmuesit shqiptar vlerësohet me 30 milionë euro. Prej kohësh, për sulmuesin kuqezi interesohen disa ekipe në Premier League, por edhe në Serie A.
()