Hyn në fuqi rregullorja e re për raportimin në AMF të veprimeve me titujt, çfarë duhet të dini

Hyn në fuqi rregullorja e re për raportimin në AMF të

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) miratoi në fund të muajit nëntor rregulloren “Për përcaktimin e formës dhe përmbajtjes së raportimit periodik të shoqërive komisionere, bankave që ofrojnë shërbime investimi në tituj dhe institucioneve të tregut”.

Rregullorja hyri në fuqi në datë 1 janar 2024 dhe ka për qëllim të përcaktojë formën, përmbajtjen dhe afatet kohore të raportimit periodik pranë Autoritetit të të dhënave lidhur me veprimtarinë e subjekteve të mësipërme për efekte të mbikëqyrjes dhe statistikave.

Institucionet financiare që janë subjekt i kësaj rregulloreje duhet të depozitojnë pranë AMF pasqyrat financiare vjetore të certifikuara nga një auditues ligjor i miratuar, si edhe informacione dhe raporte periodike. Subjektet duhet të paraqesin në AMF pasqyrat financiare brenda katër muajve nga data e mbylljes së vitit ushtrimor.

Përveç pasqyrave vjetore, shoqëritë komisionere dhe bankat raportojnë transaksionet e kryera me titujt e Qeverisë jashtë tregut të rregulluar (Bursës) me periodicitet njëmujor. Subjektet raportuese raportojnë në Autoritet informacionin e kërkuar brenda dhjetë ditë pune pas mbylljes së çdo periudhe raportuese.

Ndërkohë, shoqëritë komisionere dhe bankat që kryejnë transaksione në tituj duhet të raportojnë në Autoritet detaje të plota dhe të sakta të këtyre transaksioneve sa më shpejt të jetë e mundur dhe jo më vonë se fundi i ditës tjetër të punës.

Transaksionet me tituj të Qeverisë Shqiptare duhet të raportohen përmes platformës, të administruar nga AMF. Tregu i rregulluar (Bursa), duhet të depozitojë në Autoritet një raport ditor, i cili përmban të dhëna për transaksionet me tituj të kryera në tregun përkatës. Gjithashtu, Bursa duhet t’i mundësojë Autoritetit akses në sistemin e tregtimit në kohë reale.

Bursa gjithashtu duhet të raportojë çdo muaj në Autoritetit transaksionet e kryera nga anëtarët e këshillit të administrimit, këshillit mbikëqyrës dhe funksionarët kryesorë të tregut të saj.

Subjektet raportuese janë përgjegjëse për saktësinë e të dhënave të raportuara prej tyre.

Nëse Autoriteti konstaton se të dhënat e raportuara janë të pasakta, kërkon korrigjimin e tyre nga subjekti përkatës raportues dhe përsëritjen e raportimit pas korrigjimeve. Subjektet raportuese duhet të kryejnë korrigjimet dhe t’i raportojnë ato brenda ditës pasardhëse të punës.

Rregullorja kërkon që shoqëritë komisionere, bankat dhe institucionet e tregut duhet të kenë të gjithë mjetet apo mekanizmat e nevojshme që sigurojnë raportimin e plotë të transaksioneve dhe informacionit të kërkuar në Autoritet.

Në rast të mosrespektimit të dispozitave të kësaj rregulloreje Autoriteti, mund të marrë masa administrative ndaj subjekteve raportuese në zbatim të ligjit “Për tregjet e kapitalit”.

Ligji parashikon që subjekti mund të ndëshkohet me gjobë nga 500 mijë deri në 2 milionë lekë, në rastet kur nuk dorëzon në AMF pasqyrat financiare, raportet vjetore ose raportin e auditimit, si edhe në përgjithësi ose kur pengon Autoritetin në ushtrimin e kompetencave mbikëqyrëse./Monitor 

Hyn në fuqi rregullorja e re për raportimin në AMF të veprimeve me titujt, çfarë duhet të dini

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook