Rikthimet janë gjithmonë të bukura. Xhuliano Skuka është bashkuar përsëri me Partizanin. Lajmi është dhënë nga klubi i kuq, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Sipas asaj që shkruhet në njoftim, bëhet fjalë për një huazim nga Metz deri në fund të sezonit 2023-2024.
“Partizani me kënaqësi zyrtarizon rikthimin e Xhuliano Skukës. Klubi dhe Metz kanë arritur marrëveshjen mes tyre për huazimin e sulmuesit 25 vjeçar te kampionët. Skuka do të jetë pjesë e të kuqve deri në përfundim të sezonit 2023-2024 duke konfirmuar se Partizani mbetet zgjedhja e parë në Shqipëri” – Shkruan klubi. Lojtari ka qenë pjesë e Partizanit, në sezonet 2021/2022 dhe 2022/2023. Me skuadrën kryeqytetase, në kampionat, ai numëron 19 gola.
Sulmuesi dibran është një alternativë shumë e mirë për trajnerin Shehi, për këtë pjesë të rëndësishme të sezonit. Me interes pritet të shihet integrimi i tij me grupin dhe tashmë tifozët kanë një arsye më shumë për të besuar te skuadra. Ndeshja e radhës për Partizanin është ajo ndaj Teutës me 13 janar, në orën 17.00. Ekipi i Shehit renditet në vendin e dytë me 32 pikë, 5 pikë më pak se Egnatia kryesuese.
(J.S/)