Ish-ministri i Kulturës Luan Rama përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në News24 ka komentuar vendimin për krijimin e një ministrie të re në qeveri për Kulturën, Ekonominë dhe Inovacionin.
Rama u shpreh se edhe pse ndryshimet ndryshimet strukturore janë e drejta e kreut të qeverisë, ato duhen kaluar në Kuvend.
Sipas tij emërimi i Blendi Gonxhes në krye të këtij dikasteri është interesant, por mund të fshehë pas një hile për ta kamufluar problematikën me qasjen ndaj kulturës.
“Edhe vetë njoftimi i kryeministrit është i mangët sepse ndryshimet strukturore vërtet janë e drejta e tij, por duhen kaluar në Kuvend. Kultura është çështje konceptesh dhe filozofie qeverisjeje dhe nuk ka rëndësi kë vendos, por qasja, e cila ka qenë e mangët.
Ministria e Kulturës në mendimin tim duhet të jetë e veçuar dhe jo si aneks. Zgjedhja e Gonxhes është interesante, sepse ai ka dëshmuar aty ku ka punuar përgjegjësi menaxheriale dhe efektiviteti, por kam përshtypjen se më shumë se një zgjidhje mua më duket një truk apo hile për ta kamufluar problematikën me qasjen ndaj kulturës”, u shpreh ai.