Familjarët e 28 personave të vdekur në tragjedinë e 9 janarit në 2004 në Karaburun kanë kërkuar sërish hetim për këtë ngjarje të rëndë ku gjithashtu kërkojnë dënimin e përgjegjësve.
“Çështja është e zbardhur, por shteti nuk mban përgjegjësi. Ne kemi dosjen civile që ka kaluar nga shkalla e parë në Shkodër në Apel në Gjykatën e Lartë dhe kjo e kthen sërish në Gjykatën e Shkallës së parë. Kjo dosje sillet lart e poshtë. Qeveritarët dhe pushtetarët këmbëngulin që 9 janari të mos zbardhet”, ka thënë një prej familjarëve të viktimave.
Gjithashtu Ndoc Bjeshka ka theksuar se janë bërë 20 vite që e kanë çuar çështjen në Prokurori, tashmë edhe në SPAK dhe se kanë marrë përgjigje negative.
“U bënë 20 vite nga tragjedia e 9 janarit ku fëmijët tanë në Vlorë, na i vrau shteti. Ne 30 familje të kësaj tragjedie kemi shkatërruar familjen tonë vetëm për të gjetur të vërtetën. Nga Vlora në Tiranë, nëpër gjykata dhe në Prokurori faktet i kemi të pakundërshtueshme, kemi fakte, dëshmi që thonë se në gjirin e Dafinës u gjetën 9 kufoma. “Në orën 06:00 të mëngjesit njoftofa sallën operative, shkoi mjeti i marinës dhe i gjetën të vdekur në gomone. Ajo gomone ka humbur dhe nuk e dinë ku ka shkuar. Katër orë më pas është gjetur gomonia tjetër nga 407 italiane me 20 veta atje. Edhe për ato është vërtetuar që vdekja ka filluar në 6 të mëngjesit. Shteti nuk ka shkuar të marrë ato gomone. Kanë pritur t’i lënë të fundosen. Në këtë 20 vjetor në kërkojmë drejtësi”, është shprehur një nga familjarët e kësaj tragjedie.
Tragjedia e 9 janarit ndodhi në afërsi të Vlorës në vitin 2004, kur gomonia me 36 klandestinë u nis në det të trazuar mbi 6 ballë në drejtim të Italisë nga Gjiri i Palasës. Si pasojë e mbytjes së gomones 28 persona humbën jetën dhe të moshës 15 në 33 vjeç. Nga 28 persona të vdekur 8 prej tyre rezultojnë të gjetur.