Deputetja e PD Dhurata Çupi i ka kërkuar ILDPKI-së hetim administrativ për kryebashkiaken e bashkisë së Bulqizës, Festime Mjeshtri.
Sipas Çupit, kryebashkiakja Mjeshtri duhet të hetohet pasi është në konflikt interesi (motër dhe vëlla), me administratorin e njësisë së Ostrenit.
“Nisur nga situata e paligjshmërisë dhe konfliktit të interesit në Bashkinë Bulqizë, i kam kërkuar sot Inspektoriatit të Lartë për Deklarimin e Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave që të fillojë urgjentisht një hetim administrativ, të konstatojë situatën e konfliktit të interesit ndërmjet kryebashkiakes në detyrë dhe administratorit të Njësisë Administrative të Ostrenit, motër e vëlla, si dhe të ndërmarrë masat e tjera ndëshkuese në përputhje me ligjin. Funksionarët e lartë publikë dhe veçanërisht të zgjedhurit duhet të ushtrojnë detyrën me integritet, transparencë dhe përgjegjshmëri në shërbim të interesit publik dhe jo interesave personale a familjare”, shprehet ajo.