Paralelisht me protestat në Tiranë, disa qytetarë shqiptarë që jetojnë në Itali janë mbledhur në Romë për të kundërshtuar arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Mediat në shtetin fqinj kanë raportuar se disa qytetarë shqiptarë kanë organizuar një demonstratë pranë pallatit Montecitorio në Romë, për të protestuar kundër arrestimit të ish-kryeministrit Sali Berisha, aktualisht në arrest shtëpie me akuzën e korrupsionit.
Me parullat “Berisha libero” ata kanë kërkuar lirimin e ish-kryeministrit nga arresti në shtëpi, ku ndodhet prej ditësh tashmë.
Kujtojmë që Sali Berisha prej datës 30 dhjetor 2023 ndodhet në “arrest shtëpie”. Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë dhe ndalimit të komunikimit për ish-kryeministrin Sali Berisha. Avokati i Berishës e cilësoi ndalimin e komunikimit si privim të lirisë për një deputet.
Ai është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë cilësuar këtë masë si përpjekje për asgjësimin e opozitës.