Dallëndyshe Bici, aktualisht drejtoresha e Kadastrës, ka refuzuar të marrë mandatin e deputetit të Partisë Socialiste.
Pas heqjes së mandatit të Arben Ahmetajt, mandati i tij i kalonte pasuesit në listën shumë emërore, në këtë rast Dallëndyshe Bicit.
Por kjo e fundit me anë të një letre ka njoftuar KQZ-në se nuk do të vazhdojë procedurën e betimit për mandatin e deputetit dhe se dëshiron të vazhdojë punën në Institucionin e Kadastrës.
“Me shkresën nr. 43/1 prot., date 9.1.2024 me lëndë “Njoftim për dorëzim dokumentacioni”, për të cilën kam marrë dijeni në datë 10.1.2024, jam njoftuar për depozitimin e formularit të vetëdeklarimit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Nga sa më sipër, ju bëj me dije se nuk do të vijoj procedurat ligjore përkatëse për marrjen e mandatit të deputetit në Kuvendin e Shqipërisë, për shkak të angazhimit tim në detyrën funksionale që ushtroj aktualisht në institucion qendror”, shkuan ajo në shkresën depozituar KQZ.
Pas këtij vendimi të Dallëndyshe Bicit, mandati i deputetit që mbante Arben Ahmetaj, pritet ti kalojë pasuesit në listë, Plarent Ndreca.