Anëtari i kryesisë së PD, Gent Strazimiri në një deklaratë për mediat ka bërë të ditur se detashmenti i patronazhistëve që paguhen nga taksat përmes pozicioneve drejtuese në administratë, do të ndërrojë krerët.
Ai u shpreh se misioni i Partisë Demokratike është ta heqë Shqipërinë nga duart e bandave të kokainës dhe të PPP-ve.
Deklarata e plotë:
Detashmenti i patronazhistëve që paguhen nga taksat tona përmes pozicioneve drejtuese në administratë, do të ndërrojë krerët.
Ata që deri më sot kanë vjedhur dhe abuzuar me detyrën shtetërore duke deformuar vullnetin e zgjedhësve shqiptarë përmes presioneve apo milkimeve, përdorimit të burimeve shtetërore dhe administrative në favor të partisë-shtet, do të ndërrohen me ca të tjerë edhe më të pangopur, edhe më të uritur, edhe më të zellshëm, edhe më të rrezikshëm.
Operacioni i ‘koordinimit’ është bërë i ditur nga Ministri i policisë, famëkeqi Taulant Balla, alias Taulant Yaris, alias Taulant Bego, alias Taulant TIMS-I, i mirënjohur për ‘aftësitë e tij koordinative’ mes krimit dhe pushtetit, mes bandave e banditëve më të rrezikshëm dhe qeverisë, garanti i paprekshmërisë së tyre përsa kohë i shërbejnë interesave elektorale të partisë-shtet.
Megjithëse raporti i OSBE/ODIHR i para 6 muajve vendosi gishtin në plagë për të tretën herë radhazi, në lidhje me keqpërdorimin e administratës dhe burimeve të saj për interesa elektorale të partisë-shtet, i vetmi reagim nga ana e pushtetit është kjo rokadë e krerëve të patronazhistëve, si një përpjekje e fundit për të kërcënuar kërcënuesit e shqiptarëve.
Kjo për shkak se halli i ‘partisë’ sa vjen e shtohet, e kësisoj duhet shtuar edhe represioni mbi punonjësit e administratës, tregtarët e vegjël, profesionistët e lirë dhe cilitdo tjetër mund ti shkojë në mendje ti ndëshkojë me votë.
Në një vend ku raporti për zgjedhjet, kësisoj edhe niveli i demokracisë është identik me atë të Serbisë së Vuçiçit, lajmi i rokadës së kryepatronazhistëve është një sinjal alarmi por njëkohësisht edhe dëshmi e dekompozimit të brendshëm të organizatës kriminale që drejton sot vendin.
Fytyra e Taulant Ballës si ‘koordinues’ i procesit e ilustron më së miri faktin se administrata dhe e gjithë shoqëria do të kalojë në një fazë edhe më të rrezikshme të drejtimit kriminal, me më shumë arbitraritet e paligjshmëri, me edhe më pak liri dhe dinjitet.
Partia Demokratike do të vazhdojë të jetë në ballë të kësaj beteje, çdo ditë e më pak politike, e çdo ditë e më shumë patriotike, për tu hequr bandave të kokainës e PPP-ve nga duart Shqipërinë, e për ta rikthyer atë sërish në vendin ku nuk kishe frikë të lindje fëmijë për shkak të pamundësisë ekonomike, ku nuk kishe frikë të çoje fëmijën në shkollë se ta therin më thikë në orën e mësimit, ku nuk ishe i detyruar të merrje rrugët e mërgimit ilegal për një copë bukë më shumë.
Banda në pushtet është në fazën ku po ha të vetët!
Na duhet vetëm të reagojmë të gjithë bashkë, të zgjohemi e ti japim fund kësaj ëndrre të keqe që zgjat prej 11 vitesh tashmë.
Vetëm ne e kemi në dorë, dhe dita është SOT!
O sot, o Kurrë!