Skuadrat pretendente në NBA vijojnë të dhurojnë spektakël në të dyja konferencat. Në Lindje, pas kohës shtesë fiton Milwaukee, që mundi 143-142 Sacramento, në një takim që dhuroi emocione deri në sekondat e fundit. Kjo ishte një ndër ndeshjet me më shumë pikë të këtij sezoni, me 285 pikë në total.
Për Bucks, Antetokounmpo realizoi një “triple double”, me 27 pikë, 10 rebound dhe 10 asist, ndërsa Lillard e mbylli me 29 pikë. Në krahun tjetër, për Kings, spikati Fox, autor i 32 pikëve, por që mbetën për statistikë.
Në Perëndim, fituan dy skuadrat e kreut. Minnesota mbron vendin e parë pas fitores 109-105 ndaj Los Angeles Clippers, sfidë ku Anthony Edwards realizoi 33 pikë për Wolves, duke i bërë të pavlefshme 50 pikët e dyshes Leonard-Powell për ekipin kalifornian.
Kampionët e Denver fituan 117-109 ndaj Indiana Pacers, duke qëndruar në grupin e skuadrave që kryesojnë renditjen në Konferencën e Perëndimit. Takim i dominuar nga Nuggets, ku të gjithë titullarët realizuan mbi 10 pikë. Porter, Jokic e Murray realizuan nga 25 pikë secili.
Fiton edhe Phoenix, që falë 34 pikëve të Booker mundi 127-116 Portland, ndërsa Miami mposhti 104-87 Charlotte. Për nënkampionët u dallua Adebayo me 24 pikë.
()