Juve përballon presion e Inter, jo vetëm kaq, por tashmë ekipi i Allegrit fiton akoma më shumë besim se mund të kapin zikaltërit. “Zonja e Vjetër” mban të gjallë garën për titull në Serie A, ndjek këmba këmbës ekipin e Inzaghi-t me vetëm 2 pikë diferencë. Në “Stadium”, përballë Sassuolos, ai që bëri heroin ishte Dusan Vlahovic, autor i një dygolëshi fantastik.
Sulmuesi serb ishte i papërmbajtshëm ku në minutën e 19-të me një predhë nga distanca kaloi torinezët në avantazh. Në të 37-tën, ishte sërish Vlahovic, këtë herë nga goditja e dënimit, “bomberi” serb dyfishoi shifrat me një tjetër perlë. Sassuolo ishte e pafuqishme për t’u rikthyer në lojë, Berardi i vetëm nuk mjaftoi pasi Szeczesny ishte i pakalueshëm. Në fund, në minutën e 89-të, Chiesa sigloi shifrat përfundimtare në 3-0. Pavarësisht se bëri 5 zëvendësime, trajneri i Sassuolos nuk preferoi për asnjë minutë mesfushorin kuqezi, Nedim Bajrami.
“Magjistari Vlahovic”, shkruan La Gazzetta në faqen e parë. “Të gjithë në këmbë”, ishte titulli kryesor i Tuttosport, titull shoqëruar me foton e Vlahovic.
()