“Në Shënjestër” zbardh të plotë dinamikën e vrasjes së Gëzim Sinomatajt, cila ishte lidhja e tij me Edison Harizajn

Vrasja e 23-vjeçarit në Vlorë, Gëzim Sinomataj, ishte një nga ngjarjet më të bujshme që shënuar nisjen e vitit 2024. I riu me një plumb në kokë teksa kishte dalë në ballkonin e banesës së tij për pirë një cigare. Skenë kjo, e cila është e denjë për filma.

Emisioni “Në Shënjestër” i gazetares Klodiana Lala sjell në fokus detaje të reja, si dhe hedh dritë mbi pistat e hetimit, për zbardhen e plotë të ngjarjes, dhe se kush e donte të vdekur Sinomataj.  Ky i fundit, një i ri që kishte zgjedhur lirinë, edhe pse babai dhe xhaxhai i tij, kishin shumë ‘hesape’ të hapura.

Por a lidhet vrasja e tij me ‘hesapet’ që kishte xhaxhai i tij me Edison Harizajn, kundërshtari i përbetuar?!

Pjesë nga dokumentari:

Ai kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Belgjika, ku ndryshe nga të afërmit e tij thuhet se kishte zgjedhur të ndiqte një tjetër rrugë në jetë, atë të studimeve dhe të qenit larg problemeve.

Probleme që kishin përndjekur familjen e tij të ngushtë dhe konkretisht, babanë dhe xhaxhanë e tij, dy njerëz të sprovuar me krimin.

Por ndërsa i riu Gëzim Sinomataj, kishte menduar se rruga e tij do të ishte e ndryshme nga ajo e dy njerëzve të tij të afërt të familjes, dhe mund ta shijonte lirinë pa u shqetësuar nga armiqtë që ata kishin krijuar, 23 vjeçari duket se i kishte bërë llogaritë gabim.

Mbrëmjen e 7 Janarit të fillimvitit 2024, ai po qëndronte pikërisht në ballkonin e banesës së tij në në lagjen ‘Hajro Çakërri’ në Vlorë, ku kishte dalë aty për të tymosur një cigare.

Por vetëm pak sekonda pasi po shijonte i qetë cigaren, një plumb i vetëm snajperi e qëlloi në kokë, për t’i marrë jetën.

Në atë moment askush nuk kuptoi asgjë. Madje as familjarët e tij që në atë çast fatkeq ndodheshin brenda në banesë.

Gjithçka më tej u pasua nga një heshtje e gjatë.

Ndërsa poshtë në rrugë u dëgjua vetëm xhirimi i shpejtë i gomave të një makine, që u zhduk në errësirë, dhe tymi i monoksidit të karbonit që la pas marmita e automjetit të autorëve.

Por kush ishte Gëzim Sinomataj dhe cili ishte faji që ai kishte kryer, që i mori jetën në mënyrë aq tinëzare dhe njëkohësisht të sofistikuar?

A ishte ai në të vërtetë objektivi i atentatit, apo ai pagoi çmimin e gjakut që duhet të shlyente babai apo xhaxhai i tij?

A kemi të bëjmë në rastin e tij me shënjestrën e gabuar, apo për atentatorët pak rëndësi kishte se kush ishte preja, mjafton që viktima e tyre të mbante mbiemrin Sinomataj?

Sipas të dhënave që disponon emisioni ‘Në Shënjestër’, i riu Gëzim Sinomataj, ishte kthyer në Shqipëri më datë 18 Dhjetor 2023, për të festuar festat e fundvitit.

Për shkak se babai i tij, vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Fushë Krujë dhe nëna i ka ndërruar jetë disa vite me parë, i riu gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri kishte vendosur të jetonte në banesën e xhaxhait, Bernardit dhe bashkëjetueses së tij, të dy me dokumente rumune.

Edhe pse babai i tij ishte i dënuar për krime të rënda, të cilat lidheshin me ngjarjet e ndodhura në qytetin e Vlorës, në vitin 1997, 23 vjeçari, i cili mbante emrin e xhaxhait të tij të ndjerë, të vrarë pikërisht në këto vite, nuk qëndronte i mbyllur në banesë, gjatë kthimit në atdhe.

Përkundrazi, ai kishte vendosur të lëvizte i lirë.

Teksa shikohej shpesh të frekuentonte bare të ndryshme në qytetin bregdetar, duke zgjedhur madje të mos përdorte qoftë edhe një makinë të blinduar.

Ashtu si edhe në ditën e tij të fundit të jetës, ku u pa të lëvizte i pashqetësuar në qytet.

Për t’u kthyer në mbrëmje në banesën ku qëndronte, atë të xhaxhait të tij, Bernardit që mbante edhe emrin Spiro, një apartament pranë Poliklinikës në Vlorë.

Njoftimi i Policisë

Rreth orës 22:00, në lagjen ‘Hajro Çakërri’, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar dyshohet me armë zjarri shtetasi Gëzim Sinomataj, 23 vjeç, banues në Vlorë, i cili për pasojë ka ndërruar jetë.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit, si dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative, me qëllim kapjen e autorëve.

Për policinë lokale vrasja e të riut ishte më shumë se mafioze.

Forma dhe mënyra se si 23-vjeçari u ekzekutua, linte pak dyshim për ta, se autorët ishin aty për t’i dhënë një mësim sipas tyre të merituar familjes Sinomataj.

Po ashtu për t’u treguar atyre se ata nuk ishin të paprekshëm dhe se mund t’i qëllonin edhe aty ku ata mendonin se ndiheshin më të sigurtë se kudo.

Pikërisht në banesë dhe në atë ambient, ku askush nuk do ta çonte mendimin se duhej të ruhej.

Por ajo që është e paqartë edhe sot, është nëse objektivi i vërtetë i shënjestrës së atentatorëve ishte pikërisht i riu Gëzim Sinomataj dhe një ndëshkim që ata donin t’i jepnin babait të tij nëpërmjet humbjes së të birit, apo xhaxhai i tij.

Vetë xhaxhai i viktimës, Bernard Sinomataj, i cili në atë moment ndodhej në banesë, i pyetur në polici ka treguar edhe momentet e fundit të nipit të tij.

Se çfarë ndodhi atë mbrëmje dhe si e gjeti të pajetë në ballkon me një plumb në kokë.

Bernard Sinomataj: Gëzim Sinomataj është nipi im. Pasi u kthye në Shqipëri për festat e fundvitit, ai ka qëndruar në shtëpinë time. Në mbrëmje ai doli të pinte një cigare. Vetëm pak minuta pasi ai kishte dalë në ballkon unë dëgjova një krismë. Kur unë dola e pashë atë të rënë në dysheme. Ai ishte goditur me një plumb në kokë.

Por a mund ta ngatërronin aq lehtësisht objektivin e tyre autorët?

Qoftë kjo për moshën e tij, por edhe për faktin që qitja u krye me një snajper me dylbi me rezolucion të lartë. Dhe nga një largësi e konsiderueshme. Por edhe për një tjetër arsye, aspak përjashtuese.

Për vetë faktin që viktima në ballë, aty ku edhe u qëllua, kishte dy nishane të dallueshme, të cilat nuk mundet të mos jenë pikasur nga qitësi.

Apo shkrepësi i mirëstërvitur i armës kishte marrë urdhër të qëllonte këdo që do të dilte në ballkon, qoftë ky edhe nipi, duke ditur se xhaxhai i tij ruhej me masa të forta sigurie?.

Një pistë kjo që asesi nuk mund të hidhet poshtë, duke ditur që xhaxhai i të riut lëvizte kryesisht me makinë të blinduar, dhe autorët mund ta kishin të vështirë ose thuaj të pamundur ta eliminonin gjatë lëvizjeve të tij në qytet.

Por e vetmja mënyrë për ta gjetur të papërgatitur mund të ishte dalja e tij në ballkonin e apartamentit.

Por që atë mbrëmje, ndoshta edhe për fatin e tij të keq, përkoi me daljen e të nipit.

Por a është xhaxhai Bernardi alias Spiro apo babai Sokoli i thirrur ndryshe me nofkën ‘Buzëderri’, shkaku pse Gëzim Sinomataj u ekzekutua këtë fillim janari? 

Cilat janë telashet ku janë përfshirë të afërmit e viktimës dhe pse policia beson se rrethi i vërtetë i shënjestrës së qitësve në këtë krim tipik mafioz, ishte Bernard Sinomataj.

Ose të paktën objektivi për të goditur vëllanë e tij që ndodhej në burg, Sokol Sinomataj.

Sipas burimeve policore të siguruara nga emisioni ‘Në Shënjestër’, Bernard Sinomataj, i cili mbante dokumente rumune, ishte në një përplasje të vazhdueshme me një tjetër personazh të rrezikshëm me rezidencë në Vlorë. Ky personazh është Inez Hajrulla… Një nga kontigjentët më të rrezikshëm të krimit në qytetin e Vlorës.

Por edhe Edison Harizaj, një nga kundërshtarët e përbetuar të Bernard Sinomataj. Harizaj që dyshohet se urdhëroi rrëmbimin dhe zhdukjen e dy miqve të vëllezërve Sinomataj, Albano Xhaferri dhe Elvis Palla (Troqe).

Shkresë e policisë

Shtetasit Albano Xhaferri dhe Elvis Palla (Troqe) sipas të dhënave rezultojnë se janë lidhje shoqërore e shtetasit Sokol Sinomataj, lindur dhe banues në lagjen ‘Hajro Çakërri’ në Vlorë, i dënuar për veprat penale të vrasjes me paramendim, si vjedhje me dhunë të kryera në kuadër të bandës së armatosur.

Sipas të dhënave ky shtetas aktualisht ndodhet jashtë shtetit, dhe konkretisht në Belgjikë së bashku me vëllain e tij Spiro Sinomataj, ku në këtë shtet kanë aktivitet kriminal në drejtim të narkotikëve.

Pra siç shikohet edhe në shkresën e cila i përket periudhës para se Sokol Sinomataj të ekstradohej nga Belgjika për në Shqipëri, policia ka informacion për aktivitetin e tij kriminal jashtë vendit, ashtu edhe të të vëllait Bernardit, që mban edhe emrin e ndryshuar Spiro.

Ndërkohë që dyshohet se Albano Xhaferri dhe Elvis Troqe, u morën peng dhe u zhdukën nga Edison Harizaj, pak kohë pasi ata ishin kthyer në Vlorë, pasi ky i fundit dyshonte se ata ishin lidhje e vëllezërve Sinomataj.

Dosja Hetimore

Nga informacionet e deritanishme dyshohet se shtetasi Albano Xhaferri është marrë peng për llogari të grupit të Selenicës, kjo pasi mund të ketë marrë pjesë në ngjarjen e datës 1 Tetor 2017, ku është tentuar për t’u vrarë me armë zjarri Ferdinand Llanaj, ky i fundit lidhje shoqërore e Edison Harizaj. Në bazë të dhënave të administruara, dyshohet se autorët e krimit, e kanë kryer këtë vepër penale me urdhër të shtetasit Edison Harizaj. Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se shtetasi Elvis Palla (Troqe) është marrë dhe trasportuar në ambjentet e kompleksit ‘Oslo’, në lagjen ‘Uji i Ftohtë’. Dhe rrëmbimi i tij dyshohet të jetë kryer me urdhër po të Edison Harizaj.

 

 

Arena e Lajmit

“Në Shënjestër” zbardh të plotë dinamikën e vrasjes së Gëzim Sinomatajt, cila ishte lidhja e tij me Edison Harizajn

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook