Vllaznia është në bisedime me Shkodran Mustafin. Kjo është ajo që ka deklaruar trajneri i shkodranëve, Qatip Osmani, pas fitores 0-1 ndaj Erzenit.
“Kjo formë e jona nuk ka sekret, thjeshtë luajtëm një lojë të mirë dhe të disiplinuar. Kur morëm rastin për të dhënë gol e bëmë. Mendoj se gjatë lojës e menaxhuam mirë ndeshjen. Kishim mbajtjen e topit në favorin tonë. U mundësuam me lojtarë të shpejtë që kemi në organikë që të rrezikojmë kundërshtarët, disa herë e arritëm. Jemi të kënaqur me fitoren. Sigurisht që çdo trajner duhet të koncentrohet me lojtarët që ka në disponim. Merkato nuk është e mbyllur dhe ne jemi në bisedime me disa lojtarë. Presim përforcime. Ne jemi në bisedime një fantazist, një lojtar i tillë na duhet”, u shpreh fillimisht Osmani.
Po ju ndihmon ana psikologjike në këto momente?
“Po na ndihmon shumë. Është një fazë kampionati ku qetësia e bën të veten. Nëse ke komoditetin ku nuk rrezikon për vendet e fundit, thjeshtësia që luajtëm sot e dha të veten. Ka shumë për të luajtur, nuk kemi shumë pikë diferenca nga ekipet që janë poshtë në tabelë. Por ne ishim në një situatë të vështirë, por megjithatë dolëm nga ajo situatë. Por duhet ta kujtojmë çdo herë edhe atë situatë.”
Ku mendon se mund të shkoni si skuadër?
“E keni parasysh që ka edhe shumë ndeshje. Objektivi ynë është të jemi në katërshe. Na duhen edhe lojtarë të tjerë kualitativ.”
Erzeni në pjesën e dytë ju detyroj të ndryshonit.
“Pjesën e dytë e nisëm pakëz konfuz duke humbur agresivitetin. Por me kalimin e kohës u vendosëm ashtu si duhej. Ne e cekëm këtë element që më të fortë ishim nga krahu, por pjesën e dytë e humbëm këtë. Por vetëvetiu ndodh kjo në futboll.”
Shkodran Mustafi?
“Janë në bisedime, nuk e dimë ende. Bisedimet me Shkodran Mustafin nuk janë të thjeshta, por duhet të presim edhe pak.”
Almeida?
“Do një kohë të shkurtër të ambientohet. Ka kohë që nuk ka luajtur, por besoj do jetë gati shumë shpejt.”
(J.S/)