Janë zhvilluar të shtunën dhe të dielën ndeshjet e fazës gjysmëfinale për Kupën e Shqipërisë për grupmoshat U-17 dhe U-19.
Skënderbeu dhe Partizani do të përballen në finalen e Kupës për grup-moshën U-17, pasi arritën të kualifikohen dhe mes këtyre dy skuadrave do të vendoset se kush do ta fitojë trofeun për këtë edicion.
Gjysmëfinalja e parë u luajt të shtunën mes Skënderbeut dhe Tiranës. Koha e rregullt përfundoi në barazim 2-2 dhe më të saktë nga gjuajtjet e penalltive u treguan korçarët që triumfuan 6-5.
Në duelin tjetër që u zhvillua të dielën, Partizani mposhti me rezultatin minimal 0-1 Teutën dhe siguroi finalen e madhe të kupës për grup-moshën U-17. Gjithçka u vendos në minutat e para të ndeshjes, aty ku Partizani realizoi golin e vetëm të takimit dhe më pas administroi fitoren.
Në kategorinë e moshës U-19 finalja e Kupës së Shqipërisë do të diskutohet mes Partizanit dhe Bylisit.
Sfida e parë gjysmëfinale u zhvillua të shtunën mes Skënderbeut dhe Partizanit. Ndeshja përfundoi 2-2 dhe më pas nga gjuajtjet e penalltive më të saktë u treguan demat e kuq që triumfuan 6-7.
Ndërsa dueli tjetër gjysmëfinal u zhvillua të dielën mes Bylisit dhe Laçit. Ballshiotët zhvilluan një ndeshje shumë të mirë dhe fituan 2-0 ndaj laçianve duke siguruar finalen e madhe të kupës për grup-moshën U-19.
Kupa e Shqipërisë U-17
Turi gjysmëfinal
Skënderbeu – Tirana 2-2 (Pen 6-5)
Teuta – Partizani 0-1
Finalja e Kupës së Shqipërisë U-17
Skënderbeu – Partizani
Kupa e Shqipërisë U-19
Turi gjysëmfinal
Skënderbeu -Partizani 2-2 (Pen 6-7)
Bylis – Laçi 2-0
Finalja e Kupës së Shqipërisë U-19
Partizani – Bylis