Një tjetër përmbysje e çmendur e Real Madrid, por këtë herë bën zhurmë në Spanjë, me Almeria që akuzon fort, bëjnë përgjegjës VAR dhe gjyqtarin e takimit për këtë humbje. Ekipit të Ancelottit iu desh një gol në minutën e 100-të për të dalë me pikë të plota në një sfidë me shumë episode, 5 gola të shënuar, gola të anuluar dhe shumë VAR. Almeria i befasoi brenda në Madrid duke kaluar në avantazh që në minutën e parë ndërsa në fundin e pjesës së parë Gonzalez me një super gol dyfishoi shifrat.
Ancelotti e nisi pjesën e dytë me tre zëvendësime të shpejta, ndërsa në minutën e 57-të fituan një 11-metërsh. Nga pika e bardhë, Bellingham u tregua i saktë duke ngushtuar shifrat në 1-2. Alemria iu përgjigj shpejt ku pas vetëm 4 minutash shënuan edhe golin e tretë, por gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për faull në sulm, një moment që solli shumë kontestime. Në të 67-të, Reali barazoi shifrat në 2-2 me Vinicius Jr, por u desh VAR për ta konfirmuar pas dukshëm kishte një prekje të topit me dorë. Trajneri i Almerias protestoi ashpër gjatë gjithë pjesës së dytë, ndërsa në fund doli me karton të kuq. Në frymën e fundit, në minutën e 100-të, Carvajal ndoqi mirë aksionin dhe në limitet e vijës fundore dërgoi topin në rrjetë duke përmbysur rezultatin në 3-2.
Ky ishte një fund drithërues, por i shumë kontestuar: “Përmbysje e VAR”, shkruan AS në faqen e parë. Ndihen të vjedhur në radhët e Almeria, me klubin që reagoi në faqen zyrtare duke shtuar se nuk do të bëjnë publike asnjë pamje pasi gjithçka ishte e qartë. Pubill, anësori i Almeria-s, iu drejtua kamerave duke theksuar se: dikush kishte vendosur që nuk mund të fitonim këtu dhe kështu ndodhi.
Akuza të forta nga Almeria, por për Ancelottit gjithçka ishte korrekte për sa kohë të tre momentet e diskutueshme u panë nga VAR.
()