Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, mori pjesë në takimin e 17-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.
Ministri Hasani vlerësoi mbështetjen institucionale që Parlamenti Evropian ka dhënë ndaj Shqipërisë ndër vite, për përparimin në rrugën e integrimit evropian, duke vënë në dukje se raporti i fundit i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, i miratuar nga shumica dërrmuese e seancës plenare, është një dëshmi e fortë e kësaj mbështetjeje.
Gjatë fjalës së tij, Kryediplomati shqiptar u ndal tek zhvillimet e fundit në lidhje me implikimet që ka sjellë agresioni Rus ndaj Ukrainës për sigurinë në Evropë dhe natyrisht edhe për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e cila, siç theksoi ai, mbetet shumë shqetësuese.
Përgjigja e vetme ndaj këtyre sfidave, shtoi Ministri Hasani, është forcimi i bashkëpunimit strategjik mes vendeve të rajonit dhe BE-së në të gjitha dimensionet, sidomos në çështjet e politikës së jashtme, forcimit të sundimit të ligjit, si edhe në çështjet e zhvillimit ekonomik.
Ministri Hasani e vlerësoi faktin që BE-ja e ka shtuar fokusin e saj tek gjeopolitika dhe elementi i sigurisë, sidomos pas vendimeve që e kanë përforcuar perspektivën evropiane të vendeve të Partneritetit Lindor, por nga ana tjetër shprehu keqardhjen që Këshilli i Dhjetorit të vitit 2023 nuk arriti t’i përgjigjet pozitivisht pritshmërive të Shqipërisë për të hedhur hapin më të rëndësishëm të procesit të anëtarësimit, nisjen e negociatave për grupkapitullin e “themeloreve”.
Ai nënvizoi faktin se realitetet gjeopolitike në Rajonin e Ballkanit Perëndimor kanë sjellë nevojën për vendimmarrje të guximshme, të pandikuara nga përpjekjet për politizim të procesit për interesa të momentit. Kemi nevojë, shtoi ai, për qasje që ndihmojnë në zhvilimin e një procesi më të besueshëm dhe më të parashikueshëm anëtarësimi, çka i shërben ruajtjes së ritmit të reformave, forcimit të mbështetjes qytetare ndaj procesit, por edhe përmbylljes në një kohë optimale të një procesi që vazhdon prej gati dy dekadash.
Gjatë takimit u diskutua rreth Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të propozuar nga Komisioni Evropian, si mjeti më efikas me të cilin rajoni do të filloje të përfitojë gradualisht akses më të zgjeruar në tregun e vetëm të BE-së, si dhe do të zvogëlojë hendekun zhvillimor ekonomik mes tij dhe BE-së.