Paraditen e djeshme Partizani ka FILLUAR përgatitjet për ndeshjen e nesërme ndaj Apolonisë në stadiumin “Arena e Demave”. Kjo sfidë është e vlefshme për raundin e 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë dhe kualifikimi vendoset nesër, pa betejë kthimi.
Kjo e bën këtë ndeshje shumë të rëndësishme, pasi diskutohet prania në një kompeticion të rëndësishëm, ku Partizani ka vuajtur në të shkuarën. Shehi ende nuk e ka zbardhur planin, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndonjë ndryshim në formacion, për të ulur ngarkesën te disa lojtarë, që nuk kanë pasur mundësi të bëjnë pushim.
Në këtë ndeshje, të kuqtë nuk do të kenë të disponueshëm emra si Mba dhe Bintsuka, të cilët vijojnë fazën e rikuperimit. Nigeriani ka bërë hapa para në fazën e rikuperimit së fundmi dhe dje është stërvitur pjesërisht me ekipin. Sakaq lojtarë si Preka, Skuka apo edhe Hoxha, mund të kenë minuta në këtë ndeshje ndaj Apolonisë, ku mund të lejohet ndonjë lëvizje në formacionin titullar.
Partizani vjen në këtë ndeshje për të bërë përpara në një kompeticion si Kupa, por edhe për të hedhur pas krahëve humbjen e dhimbshme që pësuan ndaj Laçit. Stafi teknik është munduar t’ia transmetojë këtë edhe lojtarëve.