Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi në një konferencë për mediat deklaroi se sektori i bujqësisë është shembull për vjedhjen, për politikën antikombëtare dhe për shpopullimin. Ai tha mes të tjerash se qeveria Rama po masakron të gjithë aspektet e ekonomisë dhe interesit publik.
“Jemi në këtë konferencë që është e dyta që zhvillojmë në PD, me temë: Keqqeverisja Rama në skaner, propaganda përballë fakteve. Nëse ka një gjë që Edi Rama si kryeministër është përpjekur të ngulë fort në këto mandate qeverisje, është qeverisja nëpërmjet propagandës, e cila nuk ka të bëjë me faktet konkrete të keqqeverisjes që gjithsecili përditë i heq në kurriz.
Detyra jonë si PD, si opozitë është që të zbërthejmë, dhe duke e vënë në skaner të nxjerrim në pah jo vetëm faktet e pavërteta që paraqiten, duke e vënë përballë gjithë këtë propagandë përballë fakteve konkrete të keqqeverisjes, por edhe të tregojmë qartë se kush është qëndrimi dhe vizioni ynë në lidhje me çështje të rëndësishme të zhvillimit, të ekonomisë dhe shoqërisë. Sot ky takim ka në fokus bujqësinë, një nga sektorët më të rëndësishëm të zhvillimit dhe ekonomisë së vendit, ku një pjesë e madhe e shoqërisë është angazhuar.
Pikërisht në këtë takim do kemi mundësinë që përmes fakteve konkrete ta thyejmë këtë vetratë falsë të qeverisë Rama, duke prezantuar problemet e rënda që ky sektor ka. Unë do ndalem shkurtimisht në tre elementë në këndvështrim politik. Më pas këtu jemi bashkë me anëtarët e Departamentit të Bujqësisë së PD, që ka shumë më tepër nga sa jemi sot prezent, që përfshin figura me kontribut akademik, profesional, konkret në sektorin e bujqësisë. Kanë kontribuar në qeverisjen e PD, ku bujqësia pati fokus të rëndësishëm, por vazhdojnë të kontribuojnë me ide, me oponencë apo me qëndrime në këtë kohë dhe unë i falënderoj për punën e jashtëzakonshme që bëjnë. Do nënvizojë tre elemente shkurtimisht. Bujqësia, në modelin me të cilin Edi Rama keqqeveris dhe masakron të gjithë aspektet e ekonomisë dhe interesit publik, do nënvizoja tre elemente. Bujqësia është shembull për vjedhjen, është shembull për politikën antikombëtare, është shembull për shpopullimin.
Ajo që tashmë dimë si skandali që ka plasur me fondet e Ipard të dhëna nga BE, që ka pezulluar fondet dhe ka hapur hetimet, të cilat jam i sigurt që duhet të përfundojnë patjetër në hetime antikorrupsioni dhe ministra dhe zyrtarë të Edi Ramës duhet të vihen para drejtësisë.
Qartazi shqetësimi i BE, tregon se komponenti i vjedhjes, grabitjes të fondeve jo vetëm të buxhetit të shtetit, por tashmë guxojnë edhe fondet e BE, është një koncept qeverisje, me të cilin Edi Rama çon përpara këtë sektor.
Theksova aspektin e politikave antikombëtare, por sigurisht më gjatë për këtë do flasin kolegët.
Elementi i tretë është shpopullimi. E filloi me reformën territoriale. Zhduku komunat, që në Kushtetutë kishin aspektin rural, shërbenin në territor për të dhënë një kontakt të drejtpërdrejtë me interesat dhe zhvillimin rural të komuniteteve, duke bërë të mundur që bujqit, fermerët dhe popullata të kishte mundësi të kontakte politikanin e zgjedhur.
Me reformën që ka dështuar tashmë në mënyrë spektakolare, e gjitha kjo është larguar.
Kjo ka bërë të mundur që të ulet interesi në investime dhe infrastrukturë.
Të gjitha këto dhe praktikat abuzive të kësaj qeverie në lidhje me subvencioneve, duke i lënë fshatarët të pambrojtur ndaj praktikave fiskale dhe tregut në përgjithësi, bën që fshatarët ta shkatërrojnë prodhimin e tyre.
Por në fund fare, ajo që është rezultantja është shpopullimi, largimi i njerëzve nga fshati.
Ato të dhëna që po dalin sot nga censusi, edhe pse ai mbahet sekret, tregojnë se nuk janë në Shqipëri më shumë se 1.8 milionë banorë nga rreth 2.9 milionë banorë që ishin në vitin 2011, nga 4.7 milionë shtetas të regjistruar në Gjendje Civile. Një nga aspektet më të goditura është pikërisht sektori i bujqësisë.”, tha Bylykbashi.
()