Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar një pjesë të ligjit për studentët e mjekësisë që i detyronte ata të qëndronin në Shqipëri për pesë vite pas mbarimit të studimeve, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, thotë se vendimi dëshmoi se institucionet janë një shans për demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Ndërsa nisma u çua në Kushtetuese nga një grup studentët dhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike, Tabaku thekson se kjo është një provë e fortë se opozita është në shërbimin e qytetarëve jo vetëm duke denoncuar por edhe duke punuar për to.
Reagimi:
Kur politika është në shërbim të qytetarëve! Një grup studentësh patën vizionin, vendosmërinë dhe besimin për ta çuar betejën e tyre në institucione. Patën besimin se së bashku me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike do të mund të zhbënin nismën antikushtetuese të ndërmarrë nga qeveria.
Sot, padia e dorëzuar në GJK nga palët dëshmoi vërtetësinë dhe sinqeritetin e kauzës. Dëshmoi se institucionet janë një shans për demokracinë dhe sundimin e ligjit. Shfuqizimi i detyrimit për studentët e mjekësisë të qëndrojnë në Shqipëri për 5 vite pas përfundimit të shkollës është fitorja e studentëve.
Por, njëkohësisht dhe një dëshmi se si politika mund t’i shërbejë qytetarëve. Një provë e fortë se si opozita është në shërbimin e qytetarëve jo vetëm duke denoncuar por edhe duke punuar për to.
E gjitha kjo mund të arrihet përmes institucioneve, forcës së argumentit dhe vërtetësisë së bindjeve se bashkë mund t’ia dalim.