Vllaznia-Partizani është sfida më e rëndësishme që ofron java e 21-të, një ndeshje që për Shehin është një përballje mes dy rivalëve direkt, një ndeshje që ka shumë histori, për këtë arsye duket të trajtohet me personalitet. Trajneri i “demave” në konferencë për shtyp, theksoi se grupi është i plotë për këtë takim, por nuk preferoi të flas për merkato:
Si e prisni ndeshjen ndaj Vllaznisë –
O.Shehi: Është një ndeshje në vazhdën e rrjedhës së kampionatit, edhe pse luajmë përballë kundërshtarit direkt unë mendoj se është një ndeshje e radhës. Pas çdo ndeshje ne kërkojmë të marrim më të mirat dhe të eliminojmë gabimet. Mendoj se është një ndeshje që na gjen gati për nesër.
Ecuria pozitive e Vllaznisë javët e fundit –
O:Shehi: Është e vërtet që luajmë përballë një kundërshtari që këto javët e fundit ka bërë mirë. Ka arritur të marr rezultatet maksimale. E përmenda edhe më parë që është një ndeshje midis rivalëve dhe ndeshje të tilla të cilat luhen edhe në kushte të mira siç është edhe stadiumi “Loro Boriçi”. Shpresojmë që të dhuroj futboll të mirë, sidomos futboll efektiv që është shumë i rëndësishëm. Është një përballje mes dy pretendentëve për të arritur majat, dy skuadra me histori. Ne do të hyjmë në fushë për të bërë maksimumin dhe për ta trajtuar këtë ndeshje me personalitet, sepse ndeshje të tilla kërkojnë lojtarë që dinë të menaxhojnë situatat dhe dinë ti interpretojnë ato me personalitet.
Gjendja e skuadrës –
O.Shehi: Na rikthehet pas skualifikimit Sembene kështu që skuadra është e plotë. Për ndeshjen e nesërme edhe pse nuk ka gjendjen optimale kemi grumbulluar edhe Mba. Shpresojmë që të na rikthehet edhe Bintsouka, por gradualisht gjithë kontigjenti po vjen , po kalojnë dëmtimet. Tani është në dorën tonë që ti japim disa minuta që ata të vijnë gradualisht në gjendjen e tyre optimale.
Ditët e fundit flitet për largime apo huazime të lojtarëve të Partizanit –
O.Shehi: Si çdo periudhë merkato qoftë në verë apo në dimër ka spekullime , interpretime për lëvizjet e lojtarëve. Ne kemi një grup lojtarësh dhe besoj se jemi të plotë së bashku me ata që na rikthehen nga dëmtimet dhe nuk jemi të fokusuar që të marrrim ose të plotësojmë organikën. Edhe nga ana tjetër nuk besoj se do të kemi dalje, sepse janë të nevojshëm të gjithë. Jemi të ndërgjejshëm që jo të gjithë lojtarët janë në 100% e vet, pra ende nuk janë rekuperuar dhe ne nuk e kemi grupin e plotë. Kur nuk jemi të plotë gjithë skuadra të gjithë bashkë nuk besoj se do të ketë huazime.
Ndeshjet e Kupës dhe kampionatit sa ndikojnë në ngarkesën e ekipit –
O.Shehi: Ne kemi një skuadër me kontigjent të mjaftueshëm lojtarësh , pavarësisht se kemi lojtarë të dëmtuar. Në ndeshjet e kupës sigurisht që shumë skuadra kërkojnë të bëjnë rotacion dhe pa prishur balancat sepse shumë e rëndësishme është të mos prishen balancat. Në ndeshjen ndaj Apolonisë ne kishim tre forca të reja për shkak që edhe të mos prishnim balancat , për më tepër që kur formati i kupës ishte me një takim duhej vlerësim maksimal. Ngarkesat janë normale janë prezente në futboll, është një problematik që duhet ta zgjidhim ne për minutazhin , për ngarkesën apo për gjendjen fizike më të mirë të lojtarëve kur luhet çdo 3 -4 ditë.