Teksa këtë të hënë kanë hyrë në fuqi tarifat e reja për t’u pajisur me leje drejtimi, Shoqata e Autoshkollave në Elbasan është hedhur në protestë. Ata bojkotuan punën duke mos u paraqitur në provimin e testimit. Kreu i shoqatës, Alim Lulaj e quajti tinëzare vendimin e ministrisë së linjës për të rritur tarifat e patentës, ndërsa tha se koston do ta paguajnë qytetarët.
Ai shtoi se nga sot një qytetar do të paguajë 15 mijë lekë (të reja) më shumë për tu pajisur me leje drejtimi, ndaj vendimi i cënon dhe ata pasi në këtë mënyrë qytetarët do të stepen.
Taksimi i profesioneve të lira, përfshirë dhe autoshkollat duke filluar nga 1 janari ishte një tjetër pikë e kundërshtuar nga autoshkollat në Elbasan. Drejtues të tyre u shprehën se këto masa po i çojnë drejt falimentit. Në Elbasan operojnë rreth 33 autoshkolla të cilët kanë të njëjtin shqetësim. Drejtuesit e tyre paralajmëruan sot se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre ata do ta përshkallëzojnë protestën.
()