Deputeti demokrat Dashnor Sula i ftuar në studion e News24 ka komentuar zhvillimet e fundit mes opozitës dhe mazhorancës.
Sula u shpreh se javën e kaluar nga Parlamenti u përjashtuan 19 deputetë, ndërsa krahasoi këtë vendim me përjashtimin e 3 ose 4 deputetëve në seancat kur janë hedhur flakadanë.
Ai tha se ditën e nesërme do të vijojë me aksionin opozitar në Parlament.
“I bëj një thirrje shumë të sinqertë kryeparlamentares Nikolla dhe atyre anonimëve që firmosin për përjashtime, herën tjetër të na përjashtojnë njëherësh e të bien rehat. Kjo kryetarja shqetësohet aq shumë se po thonë dy fjalë kolegët e mi, se nuk bënë asnjë veprim të dhunshëm. Kur hidhnim flakadanë, 3 veta përjashtonin, 4 veta.
Javën e kaluar 19 veta u përjashtuan. Unë kam disa rregulla morale, por këto të bëjnë me zor që ti duhet të bësh diçka në përgjigje. Unë do të vazhdoj aksionin opozitar. Pse duhet të përjashtoheshin këta deputetë.
Gardistëve u thonë ose në shtëpi ose ata mos i lejoni brenda. Kryetarja e Kuvendit që ka për detyrë meqë i dhimbsen shumë kolegët e saj të mazhorancës, nuk përjashton gardistë që na kapin dhe na largojnë. Ndërsa për deputetët vjen përjashtimi”, u shpreh ai mes të tjerash.