Ish-ministri dhe ish-deputeti Aldo Bumçi lëshoi akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama, ndërsa deklaroi se ky i fundit i ka kapur të gjithë institucionet.
I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 Bumçi tha se opozita do t’i qëndrojë ballazi Ramës, duke i hapur sfidë dhe jo të përfundojë duke dhënë intervista te ERTV.
“Ky është një regjim që i ka rënë fasada. Është një regjim autoritar, që është e drejtë. Këtu nuk ka më sistem drejtësie. Çështjet po shtohen, nuk po pakësohen. Vijmë te politika. A ka sistem të pavarur kur gjykatat marrin urdhra nga kryeministri. Siç është shkelja që i bëri parlamentit duke i marrë kompetencën e imunitetit. Kuvendi ka shkelur kushtetutën. Kur gjykata mban peng emrin e PD, kur ka ndodhur kjo gjë? Iu mor PS, por doli nga një diktaturë e tmerrshme dhe s’ja mori njeri emrin. Si e mban 3 vite çështjen e emirit tonë gjykata?! Këtu kemi një Parlament që bën se çfarë thotë Edi Rama, dhe një gjykatë se çfarë thotë Rama. I vetmi institucion që mund ta shpëtojë këtë vend, është opozita. Por ka nevojë për njerëz. Nuk ka më as fasadë, Rama nuk po shtiret më. Nuk mund t’i vijmë pas Ramës, por do t’i rrimë ballazi. Nuk mund të pranojmë se ai shkel kushtetutën. Ai na merr emrin, ne të ndërrojmë emrin? Po pse intervistat te ERTV do t’ja bëjmë ne atij?! Ai është diktator i korruptuar. Diktatura ka vetëm një emër në Shqipëri, Edi Rama. S’ka vlerë tjetër. Ose janë paterica, ose të pavlerë.”, tha ai. Po ashtu Bumçi u pyet dhe për çështjen ‘Gërdeci’, ku do të pyetet nga SPAK ish-sekretarja e tij. Ai tha se nuk ka asgjë të re rreth kësaj çështje.
“Nuk di gjë se pse kërkohet të pyetet ish-sekretarja ime. E kam dhënë prononcimin tim. Kanë një problem me McGonigal, dhe ndaj. Nuk mund të jesh kryeministër kur ke korruptuar zyrtarin e FBI. Kryeministri duhet të ikë. Nuk trembem jo. Deklaratat janë bërë vite më parë. S’ka asgjë të re. Gjithçka dihet. Nuk pritet asgjë. Deklaratat u bënë para 17 vitesh.”, tha ai.
()