EKSKLUZIVE/ Zguro sqaron postimin e ndjerë dhe zbulon ofertat: Më duan në Turqi, me Skënderbeun është mirupafshim

Vangjel Zguro ka folur me fjalë “lamtumire” për shokët e tij të skuadrës. Kapiteni i Skënderbeut ka postuar një foto të skuadrës në “Instagram”, ku shkruan se do t’i mbajë mend gjithmonë dhe se do t’u jetë mirënjohës. “Kështu do t’ju mbaj mend gjithmonë. Jeni një ndër grupet më të mira që kam parë. Keqardhje që gjërat erdhën kështu. Ju u bëtë pjesë e jetës sime, ju dua pa fund vëllezërit e mi. Jam i sigurt që të gjithë pa përjashtim keni një karrierë të gjatë para. Kjo që ndodhi duhet t’ju bëjë më të fortë. Po shkruaj dhe po qaj. Ju dua çuna! Forca Skënderbeu! Faleminderit për çdo gjë, gjithmonë mirënjohës”, shkroi Zguro në profilin e tij. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, kapiteni i Skënderbeut komentoi postimin, por foli edhe për faktorët që e çuan Skënderbeun deri te rënia nga kategoria dhe mbi të gjitha për të ardhmen e tij në futboll.

VANGJEL ZGURO

Zguro, postimi juaj ishte vërtet prekës. Kaq shumë e vuani rënien e Skënderbeut?

Patjetër që po. Mund të them se ishin fjalë të ndjera, fjalë zemre, sepse vërtet jam ndier pjesë e rëndësishme e një ekipi si Skënderbeu dhe e një qyteti si Korça. Nuk do ta harroj lehtë këtë aventurë. Prandaj kam folur hapur. Të biesh me Skënderbeun dhemb shumë, pasi nuk kam rënë nga kategoria asnjëherë më parë dhe fakti që e provova këtë në Korçë për mua është dyfish e dhimbshme.

Cilët ishin faktorët që çuan Skënderbeun te rënia nga Superiorja?

Jam ende konfuz dhe nuk e di të them me përpikmëri se çfarë ndodhi. Di vetëm se kemi punuar fort, si me profesor Memellin, ashtu edhe me Gegën. Kemi bërë maksimumin dhe jemi përpjekur të mos arrijmë në këtë pikë. Ndoshta që pas largimit të Memellit fati nuk ka qenë me ne dhe nuk kemi mundur të marrim dot më të mirën apo të ndjekim hapin e kundërshtarëve, që kanë bërë rezultate të mira.

Shpesh keni reaguar për arbitrat. A ju duket se kanë ndikuar, sidomos në ndeshjet e fundit, gjykimet, pasi ju janë mohuar shumë penallti?

Nuk dua të merrem më me këtë pjesë, sepse kemi folur shumë. Normalisht të të mungojnë penallti të padhëna dhe të pashqyrtuara në VAR dhe të të jepen kundër momente të dyshimta, sigurisht që ndikon. Duhet të kishim të paktën 7 pikë më shumë në fazën e fundit, por tani ndodhi dhe asgjë nuk kthehet pas.

Është folur për oferta në drejtimin tuaj. A ka diçka konkrete?

Të jem i sinqertë ka pasur oferta të ndryshme nga kampionate të ndryshme, por po marr kohën time derisa të vendos. Do të shoh me kujdes qoftë anën sportive dhe financiare dhe më pas do të bëj zgjedhjen që më takon mua. Për momentin nuk kam pasur bisedime konkrete, por vetëm interesime nga disa klube.

A mund të zbulojmë një emër?

Për momentin preferoj të mos e bëj, pasi nuk dua të tregohem i pamatur. Mund të them që ka oferta nga Shqipëria, Kosova dhe Sakaryaspor në Turqi. Mos më kërkoni më shumë.

Largimi nga Skënderbeu është përfundimtar?

Jo, është një mirupafshim. Për mua Skënderbeu dhe Korça do të kenë një vend të veçantë në zemrën time. Këtu rikthehem me qejfin më të madh nëse do të më duan.

– Arena e Lajmit


EKSKLUZIVE/ Zguro sqaron postimin e ndjerë dhe zbulon ofertat: Më duan në Turqi, me Skënderbeun është mirupafshim

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook