Emisioni “Vetting”/ Në shkelje të ligjit, Spartak Kovaçi i jep babait tenderin e Rindërtimit… zbardhen detajet, nga ngritja në detyrë te ‘lindja’ e kërkesës

Emisioni Vetting, në News24:

I biri i jep babait tenderat ku është vetë drejtor. Petrit Kovaçi, babai i drejtorit të Ujësjellës-Kanalizime në Durrës, Spartak Kovaçit, është përfituesi i dy prej tenderave, që janë në konflikt të interesit.

Ligji ua ndalon përfitimin familjarëve të zyrtarëve të lartë në rajonin ku ata drejtojnë, por kjo nuk e ka ndaluar Spartakun të bëjë biznes me të atin me paratë publike. Për fatin e keq të banorëve, punimet nuk janë kryer as në afat, duke lënë pa ujë të pijshëm qindra familje në zonën e ish Kënetës në Durrës.

Tenderat në shkelje të ligjit

Më 26 tetor 2021, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, do të hapte garën për tenderin për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit në zonën e Porto Romanos-Kënetë dhe sistemin e rrjetit të ujërave të shiut në pjesën urbane të Durrësit për fazën e parë me fond limit 1,97 miliardë lekë ose 20 milionë euro.

Në garën për tender do të merrte pjesë kompania “Gjoka Konstruksion” shpk dhe konsorciumi i kompanive “Vëllezërit Hysa” & “2T” & “ADRIATIK” shpk.

Bashkimi i kompanive fituan garën për tenderin me ofertë sa 99.9% e fondit limit, ndërsa oferta e “Gjoka Konstruksion” shpk ishte 2 milionë lekë më shumë se oferta e fituesve.

Konkretisht, kompania “ADRIATIK” sh.p.k  ka si aksioner Ardian Mustafarajn dhe Petrit Kovaçin me nga 50% të aksioneve. Petrit Kovaçi është babai i Spartak Kovaçit, Drejtorit të Përgjithshëm të Ujësjellës Kanalizime Durrës, institucion që ishte në zotërim me shumicë aksionesh nga Bashkia Durrës dhe pjesa tjetër nga Bashkitë Shijak, Krujë, Vorë dhe Kurbin.

Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike ndalon përfitimin nga familjarët e zyrtarëve.

Ndërkohë, Petrit Kovaçi, përfituesi i këtij tenderi, është i ati i Spartak Kovaçit,  drejtorit të Ujësjellësit, një ndërmarrje që ishte nën zotërimin mazhoritar të Bashkisë Durrës.

Për të verifikuar shkeljen, “Vetting” hulumtoi dokumentet ku janë përpiluar kushtet për të garuar dhe për të fituar tenderin, ku rezulton se janë Dokumentet Standarte të Tenderit ato që përjashtojnë nga gara familjarë të zyrtarëve të lartë që punojnë në Bashkinë e Durrësit apo institucione në varësi të kësaj të fundit.

Përgjegjësia në këtë rast bie edhe mbi kreun e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, si dhe Komisionin e Vlerësimit të Ofertave në këtë bashki.

Një detaj tjetër që përbën shkelje zbulohet tek dokumentat e tenderit, ku kërkohet zbatimi i kushteve financiare që duhet të plotësojnë operatorët ekonomikë që do marrin pjesë në garë.  Sipas këtij kushti, kompanitë duhet të paraqesin bilancet vjetore, për vitet financiare 2018, 2019, 2020,  ku bilancet e dy viteve të njëpasnjëshme, nuk  duhet të kenë raport negativ ndërmjet aktivit dhe pasivit.

Por, nga bilancet e kompanisë “ADRIATIK” shpk zbulohet se në vitin 2019, kompania ka dalë me humbje 380 milionë lekë, duke ngritur pikëpyetje se si është kualifikuar në tender.

Projekti i rindërtimit jo vetëm që ka patur shkelje në garë dhe në konflikt interesi, por në terren ka prodhuar dhe një shkelje tjetër, duke kaluar afatet e punimeve. Sipas kontratës gjithçka duhej të kishte mbaruar në fund të janarit 2023. Por ndërsa jemi në mes të shkurtit 2024, punimet ende vazhdojnë dhe për firmën nuk ka asnjë penalizim.

Nga korrenspondenca me Bashkinë Durrës, “Vetting” zbulon se shkak për vonesat është procesi i shpronësimit, një hap që vë në pikëpyetje procedurat se si është zhvilluar tenderi  i kanalizimeve, ku nuk është zgjidhur shpronësimi.

Zgjatja e fundit e kontratës ka qenë më 10 janar 2024 edhe për 6 muaj të tjerë, por askush nuk thotë se kush do mbajë përgjegjësinë.

Ndërkohë, Agjencia e Prokurimit Publik, në një komunikim me “Vetting”, ka deklaruar se “nuk rezulton që Bashkia Durrës të ketë dërguar raportin për zbatimin e kontratës, duke mos dhënë asnjë shpjegim për zgjatjen e kontratës dhe humbjet që vijnë nga këto vonesa si për qytetarët ashtu edhe për fondet e rindërtimit”.

 Ngritja në detyrë

Edhe pse e zhyti në 150 milionë euro borxhe Ujësjellësin e Durrësit, ky fakt nuk e ndali qeverinë aktuale ta promovonte Spartak Kovaçin, si administrator të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Durrës pas shkrirjes së ujësjellësit të vjetër.

Raportet e njëpasnjëshme të Kontrollit të Lartë të Shtetit për Ujësjellësin e Durrësit evidentojnë problemet me arkëtimin e parave nga ana e Spartak Kovaçit. Sikur të mos mjaftonin raportet nga KLSH, janë audituesit e pavarur ata që konfirmojnë problemet financiare të ujësjellësit.

Sipas këtyre të fundit, ndërmarrja publike ka probleme me transaksionet dhe dokumentimin e tyre.

Ndërkohë, pas ngritjes në detyrë të Kovaçit,  kompania e babait të  tij përfitoi një tjetër tender nga Bashkia Durrës. Edhe në këtë rast, lidhja e kontratës publike paraqet konflikt interesi, pasi Bashkia Durrës ka aksione tek Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve, pra i biri.

Por si lindi kërkesa për këtë tender?

Në 15 shtator 2022, Bashkia Durrës hapi garën për tenderin “Sistemim K.U.B në rrugën Taulantia” me fond limit 366 mijë euro.

Nga dokumentat zbulohen detaje që tregojnë implikimin e ndërmarrjes së Ujësjellësit në këtë tender.  “Vetting” zbulon se hartimi i këtij projekti është bërë nga drejtoria teknike e ujesjellësit të Durrësit. Në këtë rast, fituese e tenderit është kompania e babait të Drejtorit të Ujësjellësit, Petrit Kovaçi me ofertë 400 mijë euro me TVSH.

Edhe pse Shoqëria Rajonale e Durrësit ka si aksioner kryesor Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, përsëri si një ndër aksionerët rezulton Bashkia Durrës. Kjo e fundit ka 32,47% të aksioneve duke lidhur fushën e veprimit të biznesit të Petrit Kovaçit me të birin, si administrator i ujësjellësit.

Por denoncimet për Spartak Kovaçin kanë nisur shumë më shpejt se sa përfshirja e tij në çështjet e rindërtimit. Ai është përmendur nga Partia Demokratike si person që ka influencuar në korruptimin e procesit zgjedhor dhe devijimin e votës në zgjedhjet e 25 Prillit 2021.

Burimet hetimore kanë konfirmuar për “Vetting” se, vitin e kaluar SPAK ka sekuestruar kompjuterat e ujësjellësit, duke vendosur nën hetim Spartak Kovaçin.

 

Arena e Lajmit

Emisioni “Vetting”/ Në shkelje të ligjit, Spartak Kovaçi i jep babait tenderin e Rindërtimit… zbardhen detajet, nga ngritja në detyrë te ‘lindja’ e kërkesës

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook